Lajme

Qeveria e Kosovës ndan 250.000 euro për Koalicionin Global kundër terrorizmit

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj përmes një publikimi në FB ka njoftuar se Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të mbajtur sot ka vendosur të ndaje 250.000 euro si kontribut financiar për luftimin e terrorizmit.

Sipas Haradinajt “me këtë vendim
forcohet pozicioni i Republikës së Kosovës, si shtet i përkushtuar në luftimin e terrorizmit global”.

Postimi i plotë i Haradinajt pa ndërhyrje:

Me qëllim sigurimin e rolit të Kosovës ndaj kërcënimeve globale në partneritet të plotë me SHBA-të, sot në mbledhjen e Qeverisë ofruam kontributin financiar prej 250.000 euro për Koalicionin Global kundër terrorizmit.

Nga ky veprim jo vetëm që forcohen veprimet në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit por edhe forcohet pozicioni i Republikës së Kosovës, si shtet i përkushtuar në luftimin e terrorizmit global.

Kosova është rreshtuar përkrah SHBA-ve në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë për të gjithë popujt paqedashës dhe ka ndërmarrë veprime konkrete në luftimin e propagandës, ndjekjen dhe dënimin e luftëtarëve të huaj terrorist, mbylljen e organizatave jo-qeveritare të cilat merreshin me financim dhe me përhapjen e propagandës, e që një pjesë e tyre financoheshin drejtpërdrejtë nga Irani, si dhe parandalimin e akteve terroriste brenda dhe jashtë vendi.

Roli dhe përkushtimi i institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës është vlerësuar me notat më të larta si nga Koalicioni Global por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si bartës i luftës globale kundër terrorizmit.

RH