Qeveria e Kosovës fton qytetarët të shmangin udhëtimet nëpër Serbi
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës ka ftuar qytetarët e Kosovës që të shmangin kalimin nëpër Serbi, pas tensioneve të fundit.
Në një njoftim në Facebook, MPJD-ja ka thënë se gjatë ditës ka pranuar raportime për arrestime të qytetarëve të Kosovës përgjatë kalimit nëpër Serbi dhe se po merret me këto raste.
“Marrë parasysh zhvillimet e fundit, dhe duke e njohur qasjen jo korrekte të autoriteteve serbe, me qëllim të shmangies të çfarëdo incidenti, MPJD fton qytetarët që të përdorin rrugë alternative për udhëtim”, thuhet në thirrjen e MPJD-së.
Situata është tensionuar së fundmi në veri të Kosovës, pasi serbët lokalë kanë nisur protestat e dhunshme duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale të komunave në veri.