Qeveria e Kosovës dyfishon buxhetin për Luginën – 450 persona të angazhuar përmes projekteve
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, gjatë ditës ka takuar zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimin, me të cilin ka biseduar për përfshirjen e qytetarëve të shumtë përmes financimit të projekteve nga mjetet e Qeverisë së Kosovës nëpërmjet Këshillit Kombëtar Shqiptar.
“Në kuadër të komunikimit të rregullt me Zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, e informuam për dinamikën e re në Luginën e Preshevës, përfshirë angazhimin e mbi 450 shqiptarëve me mbështetje financiare nga RKS. Bashkëbiseduam për mundësitë e reja dhe morëm zotimin për të realizuar jo vetëm buxhetin e planifikuar, por edhe mundësinë e dyfishimit të këtij fondi me hapjen e programeve të reja financimi!” – ka njoftuar Mustafi nëpërmjet një postimi në facebook.
Kujtojmë që Qeveria e Kosovës nëpërmjet një konkursi të shpallur nga Këshilli Kombëtar Shqiptar vitin e kaluar, ka mbështetur projekta të shumta në vlerë prej 1.2 milion euro, nga ku janë angazhuar mbi 450 shqiptarë nga Lugina e Preshevës./luginalajm