Lajme

Qëllohet me plumba vetura e gazetarit në Mitrovicë

Gazetari Shkumbin Kajtazi ka qenë cak i një sulmi të shtunën në mbrëmje në Mitrovicë. Në një postim në Facebook, ai ka bërë të ditur se vetura e tij është qëlluar me disa plumba, ndërsa rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Kajtazi ka lidhur rastin me punën e tij.

“Unë isha afër dhe kam dëgjuar krisma arme, por si njeri naiv që beson se Kosova është vend normal, nuk e kam lejuar mendjen të më thotë se mund të jetë sulm i tillë. Isha gabim. Kur u afrova tek vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejtën gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme. Edhe në Polici deklarova se rasti lidhet me punën, pasi problem personal me dikë nuk kam pasur që nga shkolla e mesme”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, policia ka bërë të ditur për KOHËN se rasti po hetohet si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Zëdhënësi Avni Zahiti ka thënë se në vend të ngjarjes janë gjetur katër predha të armës.