Bota

Bajden shpalos vizionin e tij për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe Kosovën

Në kulmin e fushatës elektorale, kandidati për president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xho Bajden u drejtohet shqiptarëve dhe shpalos planin e tij se si do të duken marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë dhe Kosovën.

Në fillim të deklaratës së tij ai thekson se si kongresmen i SHBA, ishte ndër të vetmit që ngriti zërin ndaj sulmeve të Millosheviçit dhe mbrojti interesat e Kosovës në një kohë kur bota ishte e fokusuar tjetërkund. Në deklaratë citohet Veton Surroi i cili ka thënë se Bajden “ka qenë njeriu të cilit i kemi telefonuar në Uashington që në vitet ’90”.

Bajden nënvizon faktin se Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare si dhe kujton se në vitin 1999, ishte ai që paraqiti rezolutën e cila autorizoi presidentin Klinton të ndërmerrte operacione ushtarake kundër Jugosllavisë.

Bajden deklarohet si mbrojtës i integritetit territorial të Kosovës dhe insiston që marrëveshja me Serbinë të përfshijë njohjen e ndërsjelltë.

Kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë kritikon politikën “e pabalncuar” të presidentit Tramp ndaj Kosovës dhe Serbisë dhe premton se do të rivendosë siç shkruan ai “drejtësinë dhe barazinë” duke punuar në partneritet me Bashkimin Europian për gjetjen e një “zgjidhjeje stabilizuese, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse midis dy vendeve që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe arrin njohjen e plotë të ndërsjellë.”

Në deklaratën e Bajden thuhet se ai do të insistojë që të vendoset drejtësi për krimet e luftës në Kosovë, vendosjen e trupave ushtarake sipas interesave të sigurisë së SHBA dhe se do të kërkojë nga BE garantimin e liberalizimit të vizave me Kosovën.

Më tej, Bajden garanton mbështetje për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit europian si dhe në ndërmarrjen e reformave të rëndësishme. Ai premton bashkëpunim të ngushtë në fushën e ekonomisë dhe sigurisë nën ombrellën e NATO-s./ Opinion.al