PVD reagon pas ngërçit në KKSh: Nuk bëjmë kompromis për shkeljen e parimeve demokratike
Partia për Veprim Demokratik ka reagur në lidhje me situatën e krijuar rreth Këshillit Kombëtar Shqiptar, përcjell Ministria e Lajmeve.
Reagimi i plotë :
Partia për Veprim Demokratik, si fituese e zgjedhjeve të Këshillit Kombëtar Shqiptar të mbajtura me 13 Nëntor të vitit 2022, për më shumë se një muaj e gjysëm me radhë ka bërë përpjekje për formimin e shumicës së re për udhëheqjen e këtij institucioni të rëndësishëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Prioritet i Partisë për Veprim Demokratik gjatë bisedimeve, përveç që ka qenë ruajtja e parimit bazë të demokracisë, ajo e fituesit të zgjedhjeve, ka qenë edhe koordinimi dhe ruajtja e partneriteteve të ndërtuara lokale e të cilat, për themel të vetin kanë koordinimin e politikave me Prishtinën dhe Tiranën.
Në këtë aspekt, PVD, për partner të mundshëm gjatë këtij procesi ka përzgjedhur partitë me të cilat vazhdimisht ka ndërtuar partneritete. Prandaj, për më shumë se një muaj e gjysëm kemi biseduar me Lëvizjen e Progresit Demokratik, Partinë Demokratike dhe Partinë Demokratike Shqiptare dhe kemi tentuar të arrijmë marrëveshje politike për të udhëhequr me Këshillin Kombëtarë.
Fatkeqësisht, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, e për shkak se partnerët potencial kanë refuzuar të njohin parimin e fituesit të zgjedhjeve, as sot, mbi 50 ditë përpjekje, nuk është ndërtuar një shumicë e re.
Lëvizja e Progresit Demokratik, me 2 mandate, përtej rezultateve të zgjedhjeve, ka insistuar dhe insiston që pozita e Kryetarit të Këshillit Kombëtar t’i takojë atyre ndërsa Partia Demokratike, edhe pse deklarativisht nuk e ka kontestuar parimin e fituesit të zgjedhjeve, ka hezituar që për kryetar ta mbështesë kandidatin fitues.
Në këtë situatë, 9 ditë para skadimit të afatit ligjorë për zgjedhjen e udhëheqësisë së re, Partia për Veprim Demokratik në mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm merr Vendim:
• Partia për Veprim Demokratik, si fituese e zgjedhjeve të 13 Nëntorit, për shkak të jogadishmërisë të partive partnere për ta pranuar parimin e fituesit të zgjedhjve si bartës të ardhshëm të këtij institucioni, deklaron se nuk ka rritur të ndërtojë shumicën e domosdoshme për qeverisjen e re të KKSH-së.
• Prandaj, PVD, duke mos dashur që të mbajë peng procesin e krijimit të shumicës së re në KKSH fton partitë pjesmarrëse në zgjedhje, që në kuadër të afatit ligjor, të bëjnë përpjekje për formimin e një koalicioni të mundshëm edhe atë pa fituesin e zgjedhjeve, dmth, pa PVD-në.
• Partia për Veprim Demokratik mbetet e përkushtuar dhe deklarohet që është e gatshme të marrë mbi supet e saja udhëheqjen e KKSH-së, vetëm në rast se partnerët potencial pranojnë dhe njohin parimin e fituesit të zgjedhjeve, parim i cili për PVD-në mbetet i panegociueshëm.
• PVD-së me këtë rast konsideron dhe shprehë brengosjen se instalimi i masave të dhunshme eventuale në udhëheqjen e KKSH do të sjellë kaos politik në Luginë në përgjithësi e në Bujanoc në veçanti dhe gjithë kjo si pasojë e kontestimit të parimit të fituesit të zgjedhjeve.
Partia për Veprim Demokratik
Shaip Kamberi- kryetar