Bota

Putin vizitë të paparalajmëruar në Siri

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka vizituar Sirinë ku pritet të takohet me presidentin, Bashar al-Asad. Vizita e Putinit nuk ishte paralajmëruar më herët, ndërsa ende nuk ka informacione të detajuara mbi axhendën e kreut të shtetit rus.

Rusia është aleati kryesor i presidentit sirian Bashar al –Asad, forcat ushtarake të të cilit po luftojnë kundër rebelëve që kundërshtojnë regjimin e tij.

Rajoni i fundit i madh i mbajtur nga rebelët që kundërshtojnë presidentin Bashar al-Asad, është Idlibi në veri-perëndim të Sirisë. Kjo zonë është bombarduar nga qeveria siriane që nga fundi i nëntorit.

Prej asaj kohe më shumë se 235.000 njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre në këtë provincë ndërsa eksodi më i madh ndodhi midis 12 dhe 25 dhjetorit.

Nga ana tjetër, Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar Rusinë, Sirinë dhe Iranin kundër vrasjeve të civilëve në provincën Idlib të Sirisë.

“Rusia, Siria dhe Irani janë duke vrarë ose janë në drejtim të vrasjes së mijëra civilëve të pafajshëm në provincën Idlib. Mos e bëni këtë!”, ka thënë Trump në një postim në rrjetin social, Twitter, më 26 dhjetor.