PSG dhe Bayern luajnë për trofeun më të vlefshëm në Evropë
E diela e 23 gushtit është një ditë e madhe për sportin, në veçanti për futbollin.
Në Lisbonë, me fillim nga ora 21:00, luhet finalja e madhe e Ligës së Kampionëve, mes Paris Saint Germain dhe Bayern Munich.
Derisa PSG ka pasur një short më të lehtë, duke eliminuar Atalantën dhe Leipzig, Bayern Munich në anën tjetër ka pasur kundërshtarë jo të lehtë, me Barcelonën dhe Lyon.
“Një skuadër me individualitet të shkëlqyeshëm, por gjithmonë ka hapësira dhe zgjidhje për të gjetur. Është një finale, ne duhet të gjejmë një përzierje mes të luajturit lirshëm dhe me besim. Kjo nuk është një ndeshje për ndryshime të mëdha. Bayern ka avantazhin e të luajturit në këto ndeshje. Do të jetë një sfidë e madhe dhe ne kemi besim. Ne e meritojmë të jemi këtu”, ka deklaruar Tuchel, trajneri i PSG-së.
Në anën tjetër, trajneri i Bayern Munich ka deklaruar: “Ata janë një ekip i madh, me shumë shpejtësi në fushë, lojtarë që kanë përvojë. Sidomos në sulm, por edhe në mbrojtje me Thiago Silvan. Marquinhos në mes… ai më të vërtetë ka cilësi të jashtëzakonshme. Ata kanë pranuar vetëm pesë gola në Ligën e Kampionëve, kështu që mbrojtja funksionon si sulmi. Kemi një plan, një projekt dhe shpresoj që nesër do të arrijmë ta ekzekutojmë”.
Kujtojmë se PSG nuk e ka fituar asnjëherë Ligën e Kampionëve, ndërsa Bayern Munich tashmë e ka fituar pesë herë këtë trofe./Lajmi.net/