Prokurori i Antimafias italiane: Mafia shqiptare rol operativ në trafikun e kokainës në botë
Prokurori i Antimafias Italiane, Nicola Gratteri në një intervistë për median italiane “La Stampa” jep përsëri alarmin e rolit që mafia shqiptare luan në trafikun e kokainës në botë si dhe në biznesin e saj kriminal me mafian kalabreze “La Ndrangheta”, transmeton oranews.
Plot 10 muaj më parë në një intervistë ekskluzive për RTV Ora , Prokurori i Antimafias italiane do të deklaronte se “Mafia shqiptare është një mafia gjithnjë e në zhvillim në Europë e do të jetë mafia e së ardhmes. Mafia shqiptare po shtrihet gjithnjë e më shumë në Amerikën e Jugut. Në bashkëpunim me mafian kalabreze Ndrangheta është e aftë të importoj sasi të mëdha kokaine në Europë. Mafia shqiptare është gjithashtu mjaft e pranishme në prodhimin e marijuanës dhe tonelata trafikuara nga Shqipëria po pushtojnë Europën. E ne jemi shumë të prekokupuar!”
Sot për të përditshmen italiane, Nicola Gratteri thotë se “trafiku i kokainës është pothuajse monopol i mafias kalabreze La Ndrangheta, por shënon rritje dhe forca e besueshmëria e rrjetit kriminal të mafieve të reja si ajo shqiptare.
Forcimi i mafias shqiptare është i pandalshëm”, ka deklaruar ai.
“Në vitet e ardhshme do të dëgjojmë të flitet gjithnjë e më shumë për këtë organizatë e jo vetëm në Itali. Por dhe në Holandë për shembull e në Amerikën e Jugut. ku shqiptarët po fitojnë role operative drejtpërdrejtë me prodhuesit e drogës.
Ky hap më sipër i mafias shqiptare, për prokurorin e antimafias italiane , shpjegohet me motivin e arsyeshëm të akreditimit që klanet shqiptare kanë përfituar pranë karteleve meksikane falë ndranghetas kalabreze.
Është mjaft e vështirë që nga asgjëja të akreditohesh si blerës të prodhuesit amerikano jugor të kokainës”, thotë prokurori i Antimafias i cili kujton se pak kohë më parë kriminelë serbo-malezezë provuan një gjë të tillë, por u therën në Meksikë.
Po si ka lindur raporti i Ndranghetas me mafian e Ballkanit?
Prokurori, Nicola Gratteri thotë se në Sibaritide në rajonin e Kalabrias, shqiptarët i garantuan mafias kalabreze, armë kryesisht kallashnikov, për të cilët nuk kishin probleme furnizimi. Në shkëmbim shqiptarët u bënë operativ në trafikun e prostitucionit. E vetëm pak kohë më parë aksioni i tyre shënoi një hap më lartë në trafikun e drogës. Kemi regjistruar kontakte mes ndranghetisve e mafias shqiptare në Meksikë, por për momentin nuk mund të shtoj më shumë.
Ndërsa për trafikun e heroinës Prokurori i Antimafias italiane thotë se heroina së bashku me drogat sintetike ka shënuar një risi në tregun ndërkombëtar. Meksikanët po furnizojnë sasi të mëdha heroine në Amerikë duke mbytur tregun, 90% e heroinës në Amerikë vjen nga Meksika, e rruga e trafikut të heroinës nga Afganistani furnizon tashmë kryesisht vetëm Europën.
Prokurori i Antimafias italiane thotë: Ka një reduktim të fondeve amerikane për të luftuar prodhimin e kokainës, në Kolumbi, Peru e Bolivi.
Por mafia kalabreze Ndrangheta ka vënë nën monopol dhe biznesin miliarder të drogës sintetike Fentanyl. Një kilogram pluhur kushton 10.500 dollarë me të cilën i përpunuar me substanca të tjera prodhon rreth 1 milion pilula që shiten 20 dollarë secila.
Prokurori i Antimafias, italiane thotë se “Fentanyl” është një drogë me një nivel të lartë toksik e shumë më e fortë se heroina , e Ndrangheta ka nën kontroll trafikun e saj e nuk lejon që kush kërkon ta blej ta marr në një vend tjetër.”