Programi i Kurtit e Osmanit për diasporën
Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti i shoqëruar edhe nga Vjosa Osmani kanë shpalosur programin e tyre qeverisës.
Kurti ka ritheksuar ndër të tjera se në fokus të programit qeverisës do të jetë edhe mërgata dhe roli i tyre si motor i ekonomisë së Kosovës.
“Ata kanë ndihmuar çdo vit duke dërguar remitenca e duke shpenzuar para në Kosovë, por ata mund te bëhen motori i zhvillimit tonë. Do ta heqim kartonin e gjelbër dhe do ta mundesojmë votimin në ambasada e konsullata”, theksoi Kurti.
Madje ai tha se ka plane edhe për profesionistët që jetojnë në diasporë, shkruan tutje Albinfo.ch.
“Të shkolluarit në mërgatë do të nxiten të vijnë, të kthehen në Kosovë e të kontribojnë në institucionet e Kosovës e kompanitë publike”, tha Kurti.
Ndërsa Vjosa Osmani tha se qeverisja “Kurti” nuk do të jetë qeverisje e premtimeve.
“Qeverisja e re do të jetë sinonim i fjalës së mbajtur, shpresës e demokracisë. Ne jemi bërë bashkë për ta bërë Kosovën shtet funksional. Zotohemi se do të bëjmë gjithçka për të siguruar fuqizimin e institucioneve tona”, tha Osmani.