Kryesore

Preshevari Avni Hafuzi, atdhetari dhe bëmirësi në shërbim të çështjes kombëtare, që jeton dhe vepron në Hungari 

Shkruan: Fehmi Ramadani

Vendlindja dhe shkollimi

Avni Hasip Hafuzi ka lindur në Preshevë, më 16 shtator të vitit 1958. Rrjedh nga një familje patriotike preshevare, që breza me radhë kanë luftuar për të mbajtur lartë traditat shqiptare dhe flamurin kuq e zi të Skënderbeut. Shkollimin fillor e ka kryer në vendlindje, ndërsa të mesmen në gjimnazin „Skënderbeu” në Preshevë. Pastaj, filloi studimet e larta në shkencat sociale të Universitetit të Shkupit në gjuhen maqedonase ,të cilën e vazhdoi deri në mbarimin e vitit të parë dhe më pas e ndërpreu, sepse nga organet e atëhershme të mbrojtes ishte ftuar për shërbim ushtarak. Këtë ftesë Avniu e kishte refuzuar, sepse pushteti i atëhershëm këtë ia kishin bërë me qëllim që ta ndërprisnin nga shkollimi. Nga ky moment fillon edhe peripecia e tij, largimi nga vendlindja dhe jeta e tij në mëgrim. Ishte një vendim shumë i rëndë i tij, por nuk kishte rrugë tjetër, sepse për një refuzim të shkuarjes në armatë rrezikoheshin shumë vjet burg me pasoja të rënda. Prandaj, Avniu i vetëdijshëm për aktin zgjodhi rrugën e mërgimit, që ishte me shumë të panjohura dhe me plotë sfida. Ishte një kohë mjaftë e rëndë për shqiptarët, si në Preshevë, por dhe gjetiu. Ai u largua vendlindja dhe për shumë vite nuk u kthye më në Preshevë. Kjo ishte një histori mjaftë e dhimbshme, si për Avniun, familjen dhe farefisin e gjerë, sepse shkaku i largimit të tij mund të prodhonte pasoja të rënda edhe ndër të afërmit e tij.

Mërgimi në Itali, Austri dhe Hungari

Ai, pas largimit nga Presheva, së pari qëndroi në Itali duke punuar punë të ndryshme. Më pastaj, kaloi në Austri për disa vite, ndërsa së fundmi u ndal në Hungari, vendin në të cilin do të filloj një jetë të re dhe me sfida të reja. Në Hungari vazhdoi shkollimin dhe njëherësh kishte filluar  të merret me tregti. Gjatë kësaj pune kishte njohur bashkëshorten e jetës me të cilën jeton edhe sot e kësaj dite. Avniu ka pesë fëmijë, të gjithë të shkolluar dhe të rritur në Hungari. Në fillimin e viteve 90’ta me përpjekje e sakrifica të mëdha kishte arritur të hap një biznes, një terminal doganor, firmë me të cilën merret edhe sot e kësaj dite. Ai ka arritur të krijojë një mirëqenie të mirë ekonomike për familjen, por edhe për të punësuarit në të. Hungaria për Avniun është vendlidja e dytë, e cila në kohërat më të vështira i kishte dal në ndihmë, sidomos miqët dhe rrethin që e krjoi ai, padyshim që kishin kontribuar në suksesin e tij. Mirëpo, ky sukses në radhë të parë ishte arritur falë angazhimit të tij personal dhe punës së palodhshme, por edhe familjes dhe shoqërisë dhe shtetit hungarez.

Kontribut bëmirës për shtresat në nevojë

Krahas biznesit, Avniu ka dhënë një kontribut të veçantë bëmirës për shtresat në nevojë, si në trojet etnike, por edhe në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë vlen të përmendet rasti i ndihmave në ushqime prej 24 tonë në Shqipëri gjatë përmbytjeve në qarkun e Shkodrës, në vitin 2010. Po ashtu, kontribute me vlera të veçanta janë dhëna për luftën e Kosovës, por edhe pas luftës, në Kosovën e lirë. Padyshim që për njerëzit në nevojë të Preshevës, Avniu ka ka treguar një vëmendje të veçantë, duke ndihmuar njerëz të pastrehë me materiale ndërtimore, me ushqime, veshmbathje e ilaçe, por edhe me vegla muzikore për femijët me aftësi të kufizuara. Kontributet e tij për ta ndihmuar vendlindjen, sidomos gjatë luftës së UÇK-së dhe UÇPMB-së, UÇK-në në ish-Maqedoni dhe mëpastaj ishin të njëpasnjëshme. Edhe në Hungari ka ndihmuar njerëzit në nevojë, si për të varfërit, për pakicën rome, për njerëzit me aftësi të kufizuara etj. Ndihmat e tij ishin të vazhdueshme dhe të pandërprera.

Kontributi i tij në bashkëjetesën fetare dhe zgjedhja si anëtarë i kalorësit mbretërorë

Avniu, ka përçuar vazhdimisht traditën e shkëlqyer të kombit tonë për bashkëjetesën fetare, duke marrë pjesë në aktivitete të tilla ku njerëzit, pavarësisht nga përkatësia fetare janë ndier të barabartë. Vlen të theksohet fakti, që ai është zgjedhur anëtarë i urdhërit të kalorësit mbretëror me emrin „ Shën Gjergji”. Në Vishegrad të Hungarisë, në Prill të vitit 2012, posaçërisht për pranimin e Avniut është bërë një ndryshim thelbësor në statutin e këtij urdhëri për të pranuar anëtarë edhe nga përkatësitë e tjera fetare. Shumë interesant është fakti, që ai është sponsori kryesor në ngritjen e shtatores së Jesu Krishtit në rajonin e Pec-it në Hungari. Kjo frymë e bashkëpunimit ndërfetar ka gjetur një përkrahje të madhe dhe është çmuar shumë në rrethet hungareze, që kanë kontakte me Avniun dhe miqët tjerë shqiptarë. Që në fëmijërinë e vet Avniu është ushqyer dhe frymëzuar nga historitë e luftrave shekullore të popullit tonë, ku veçohen trimëritë e Skënderbeut kundër pushtuesve osman. Më mbresëlënsja nga këto histori, që ka marrë dhe trajtën e legjendës është ajo, që Skënderbeu gjatë kthimit nga beteja e Nishit ka zgjedhur që bashkë me luftëtarët e vet të pushojë në fshatin Norçë të Preshevës. Aty ka një vend, që sot e kësaj dite quhet “Gjurma e Kalit të Skënderbeut”. Kjo histori i ka bërë krenarë breza të tërë të kësaj pjese shqiptare. Por, edhe vendosja në Hungari, ka qenë një shtrat i ngrohtë frymëzues për Avniun në këtë drejtim, duke patur parasysh që bashkëkohësi i Skënderbeut, Janosh Huniadi ka qenë një aleat i fortë i tij në luftën kundra osmanëve.

Vendosja e pllakës së Skënderbeut në qytetin Eger 

Çdo hungarez i vjeter, apo i ri në moshë është në dijeni dhe e çmon shumë faktin që miqësia e dy popujve tanë e ka zanafillën në këtë bashkëpunim. Njëzet e dy vjet më parë, në nëntor të vitit 1998, në një bisedë me ambasadorin e Shqipërise Z. Adhurim Resuli, Avniu ka sugjeruar që të bëhej e mundur vendosja e statujes së Skënderbeut në një nga sheshet e Budapestit dhe ta merrte emrin e tij . Me konkretisht, ideja ka qenë që shtatorja të vendoset përballë asaj të heroit kombëtar hungarez Huniadit tek kështjella me të njëjtin emër, pranë sheshit të heronjve. Realizimi i kësaj ideje, edhe për shkak të burokracive te nevojshme, do të kërkonte kohë. Kjo ka qenë arsyeja që për ta përshpejtuar këtë, u realizua vendosja e memorialit të Skënderbeut në Eger gjatë visitës së Presidentit shqiptar në Hungari, zotit Rexhep Mejdani në 14-16 shkurt 2000. Një kontribut të veçantë ka dhënë edhe Bashkia e qytetit të Egerit. Pastaj, më 11 shtator 2022 është zhvilluar ceremonia e inaugurimit të pllakës përkujtimore prej graniti, ku janë gdhendur fjalët e himnit të Nënës Terezë, nga Avniu, si konsull nderi i Shqipërisë, e që ishte edhe inicues dhe sponsorues. Njëherësh është vendosur edhe busti i Skënderbeut në parkun qendrorë të qytetit të Budapestit, një ide e kahmotshme e realizuar tani.

Avniu, organizues dhe sponsorues i shumë aktiviteteve sportive, kulturore e kombëtare 

Avniu është organizator dhe sponsorizues i ceremonive të përvitshme që mbahen pranë këtij memoriali, ku marrin pjesë qytetarë të diaspores sonë e të gjitha trevave shqiptare me banim ne Hungari. Në ceremoninë e kryer sivjet në kuadrin e 550 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, i shpallur, si” Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut” pati një pjesëmarrje shumë më të gjerë të diaspores. Mbresat ishin shumë të thella. Po në kuadrin e “Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”, Avniu ka intensifikuar përpjekjet për të grumbulluar materiale dhe informacione me karakter historik shekullor, që lidhen me diasporen shqiptare, me qëllimin e madh aplikimin për marrjen e statusit të pakicës kombëtare në përputhje me Kushtetutën hungareze. Po punohet në disa biblioteka për nxjerrjen e materialeve të duhura që lidhen me diasporen, po merren kontakte me personalitete hungareze nga fusha e historisë dhe politikës.

Për këtë qëllim më 19 mars 2018, Avniu mori pjesë në Konferencën Përkujtimore mbi 150 vjetorin e krijimit të ligjit të shtetit hungarez, për njohjen pakicave të huaja kombëtare (deri tani në Hungari njihen ligjërisht 13 të tilla), si i ftuar i veçantë në cilësinë e Konsullit të Nderit të Shqipërisë, në Parlamentin hungarez. Në këtë Konferencë, ai zhvilloi një sërë takimesh. Ka sponsorizuar shpenzimet për gjetjen, printimin dhe lidhjen e librit të Marin Barletit ”Historia e Skënderbeut” në biblioteken e Universitetit Elte në Budapest. E veçanta e këtij libri është, sepse prej studjuesve këtu konsiderohet si botimi më i hershëm i kësaj historie. Një kopje e këtij libri i është dhuruar Kryeministrit Edi Rama, ndërsa një CD historianit  Pëllumb Xhufi. U ka dhuruar Leksikonin e madh hungarez prej 19 volumesh, përkatësisht bibliotekave kombëtare të Shqipërise dhe të Kosovës, ku përveç të tjerave ka të dhëna historike për ilirët dhe shqiptarët deri në ditët e sotme.

Figura e Skëndebeut çmohet lartë, si një luftëtarë trim që i ruajti të pamposhtura trojet arbërore nga hordhitë osmane dhe ndërkohë kontribuoi në mbrojtjen e krishtërimit europian. Se fundmi, nuk mund të lihet pa përmendur edhe Olimpiaden e Sportit „ Melk 2018”, ku marrin pjesë fëmijët shqiptarë të moshave 12-16 vjeç, nga të gjitha trojet tona dhe nga vendet ku është përqëndruar diaspora. Vendi i zhvillimit është qyteti turistik i Melkut- Austri. Këtë vit olimpiada është quajtur ”Olimpiada e vitit të Skënderbeut”. Për këtë arsye, në krahasim me dy olimpiadat tjera, është zgjeruar mjaftë harta e pjesëmarrësve të ftuar. Por, kontributin më të rëndësishem e kanë dhënë  Imer Lladrovci dhe Ukë Halilaj konsuj të Republikës së Kosovës në Vjenë, si dhe shqiptarët tanë të diasporës sonë në Austri, ndërsa Avniu ishte njëri ndër inicuesit dhe sponsoruesit e këtij manifestimi .

Dekoratat dhe mirënjohjet

Avni Hafuzi mban një sërë dekoratash, titujsh, certifikata nderi e mirënjohje të akorduara nga personalitete të shquara të Shqipërisë, Hungarisë, Kosovës dhe Preshevës.

Shqiperia 1. Medalje e mirënjohjes- dhënë me dekret nr. 6914 , date 28.02.2011 , Presidenti Bamir Topi 2. Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Hungari, Rajoni i Baranya-01 Mars 2012, MPJ e Shqipërisë. 3. Certifikatë falënderimi për dhurimin e Leksikonit hungarez- Aurel Plasari, drejtor i bibliotekës kombëtare të Shqipërisë, 30 tetor 2008 4. Certifikatë Mirënjohje për ndihmën dhënë ambasadës së Republikës së Shqipërisë dhe kontributin në marrëdhëniet ekonomike Shqipëri- Hungari- Florian Nova, Ambasador i Shqipërisë në Hungari, 05 Maj 2008

Kosova 1. Certifikatë falënderimi për dhurimin e Leksikonit hungarez- Prof.dr Sali Bashota, drejtor i bibliotekës kombëtare dhe universitare, 12 Prill 2011 2. Letër falënderimi- Delfin Pllana , Ministër këshilltar i Ambasades së Kosovës në Hungari, 02 Prill 2014.

Hungaria 1. Qytetar Nderi i qytetit Nagyatad- z. Ormai Istvan, kryetar i Bashkisë së qytetit, 12 korrik 2012, nënshkruar në monografinë e qytetit Nagyatad.

Organizata ndërkombëtare 1. Titulli „Ambasador i paqes” nga Federata Universale e Paqes- Dr. Hak Ja Han Moon, bashkëthemelues i Federatës. 11 shkurt, 2018) me propozim të z. Krebsz Tibor president i “Lidhjes së familjeve për paqen dhe unifikimin botërorë”, Hungari.

PS/ 1.Nga libri i tij “Bamirësi që erdhi nga Presheva dhe bëhet kalorës”.

2.Nga ceremonia e inaugurimit të pllakës përkujtimore ku janë gdhendur fjalët e himnit të Nënës Terezë.

3.Nga vendosja e bustit të Skënderbeut në parkun e Budapestit.

  1. Vendosja e pllakës së Skënderbeut në sheshin e qytetit Eger.