Presheva dhe Bujanoci mbeten komunat më e varfëra në Serbi – pagat më të ulëta në nivel shtetëror
Të dhënat e fundit për pagat e muajit shtator 2025 vetëm sa e konfirmojnë realitetin e rëndë ekonomik në komunat shqiptare në jug të Serbisë, Preshevë dhe Bujanoc.
Në Bujanoc, paga mesatare neto ka arritur në 79,351 dinarë, një rritje modeste prej rreth 1,600 dinarësh krahasuar me muajin e kaluar. Megjithatë, kjo shumë mbetet dukshëm më e ulët se mesatarja republikane prej 109,147 dinarësh. Diferenca prej gati 30 mijë dinarësh e pozicionon Bujanocin në fund të listës brenda rrethit të Pçinjës.
Gjendja është edhe më e rëndë në Preshevë, e cila me një mesatare prej vetëm 74,164 dinarësh rezulton të ketë pagën më të ulët në të gjithë Serbinë. Kjo e vendos komunën në situatën më të pafavorshme ekonomike në nivel shtetëror.
Ndërkohë, rrethi i Pçinjës në përgjithësi ka regjistruar një mesatare prej 84,792 dinarësh, që gjithashtu mbetet nën nivelin e mesatares së Serbisë.
Dallimet janë të theksuara dhe trendi është shqetësues: Presheva dhe Bujanoci po mbeten prapa, ndërsa hendeku ekonomik me pjesën tjetër të vendit po thellohet edhe më shumë.
