KryesoreLajme

Pozitë e opozitë pajtohen se gjendja në Luginë është keq, por kuorum për rezolutë nuk ka

Në kulmin e diskutimeve në Kuvendin e Kosovës për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, atyre u ka shkuar një rezolutë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai u ka propozuar deputetëve që të votojnë bashkimin e Luginës me Kosovën, një tezë në kuadër të ndryshimit të kufijve, që presidenti e ka proklamuar për një vit të tërë.

Por, ky propozim e ka përplasur menjëherë ish-partinë e presidentit me opozitën.

Më herët, gjatë ditës, të gjitha partitë politike shqiptare u pajtuan se gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc është duke u përkeqësuar, e për këtë institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin masa, raporton KTV.

Një prej propozimeve të deputetëve ishte edhe përfshirja e çështjes së Luginës së Preshevës në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, përmendi idenë e presidentit Hashim Thaçi për bashkëngjitje të kësaj pjese me Kosovën, ide për të cilën tha se i ka demobilizuar shqiptarët atje.

Në anën tjetër, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, kritikoi ministrat për mospraninë e tyre gjatë diskutimit për gjendjen e shqiptarëve në Luginë.

Për trajtimin e problemeve të shqiptarëve në tri komunat në Serbi, u propozua edhe shtimi i një ministrie në Qeveri të Kosovës.

E, vetë ministri i Arsimit, tha se rezoluta e cila do të saktësonte veprimin shtetëror të Kosovës, do të ndalonte spastrimin etnik të shqiptarëve të Luginës.

Kjo seancë është iniciuar nga deputetët që për disa ditë qëndruan në komunat shqiptare ku nga afër panë gjendjen e banorëve atje.

Por, as rezoluta e Thaçit e as rekomandimet e deputetëve nuk u votuan për shkak të mungesës së kuorumit.