Pozicionet e Shqipërisë dhe Kosovës. Në sa shtete udhëtojnë pa viza shqiptarët
Qytetarët japonezë mbajnë në duar pasaportën më të fuqishme në botë, ndjekur nga ata të Singaporit dhe Koresë së Jugut, në një kohë që shtetet aziatike vijojnë të dominojnë rankimet botërore.
Sipas “Hanley Passport Index” për vitin 2019, Japonia rëndietet në vendin e parë, me qytetarët e saj që janë në gjendje të udhëtojnë pa viza ose marrin vizë në destinacion për 190 shtete.
Japonia ndiqet nga Singapori dhe Koreja e Jugut në vendin e dytë, qytetarët e të cilëve udhëtojnë lirshëm në 189 destinacione.
Gjermania dhe Franca renditen në vendin e tretë, teksa mbajtësit e këtyre pasaportave janë të lirë të udhëtojnë në 188 shtete pa viza. SHBA-ja dhe Britania e Madhe renditen në vendin e gjashtë me 185 destinacione, ndryshe nga viti 2015 kur këto dy pasaporta renditeshin në krye të listës.
Në vendin e katërt janë Danimarka, Finlanda, Italia dhe Suedia, ndërsa vendi i 5-të ndahet nga Spanja dhe Luksemburgu. Një ose më shumë shtete mund të renditen në të njëjtin pozicion nëse kanë të njëjtin numër shtetesh në të cilët mund të udhëtojnë pa viza.
Sipas të njëjtit raport, qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë pa viza ose mund të marrin vizë me mbërritjen në 115 shtete në total, duke e renditur shtetin tonë në vendin e 50-të si pasaporta më e fuqishme në botë, pas Bosnjë Hercegovinës dhe para Gjeorgjisë e Turqisë. 92 shtete kanë pasaporta më të forta se shqiptarët.
Qytetarët e Kosovës ndërkohë mund të udhëtojnë pa viza vetëm në 44 shtete, çka bën që Kosova të renditet në vendin e 94-t në botë. Liberalizimi i vizave me BE-në për qytetarët e Kosovës do të sillte fuqizim të ndjeshëm të kësaj pasaporte.
Në fund të listës për vitin 2019 janë Iraku dhe Afganistani me akses të lirë vetëm në 30 shtete.