Policia e Kosovës : Jemi duke hetuar rastin e zhdukjes së preshevarit Besnik Osmani
POLICIA E KOSOVËS: JEMI DUKE HETUAR RASTIN E ZHDUKJES SË BESNIK OSMATI
Kanë kaluar gjashtë ditë nga zhdukja e preshevarit Besnik Osmani, në zonën kufitare mes Preshevës dhe Gjilanit.
Gjatë ditës së djeshme në faqën e Komunës së Preshevës u publikua lajmi se Shtabi Komunal për Situata të jashtëzakonshme me kërkesë të familjarëve të personit të zhdukur, kanë dalur në kërkim për ta gjetur atë në karadakun e Preshevës.
Në komunikatën e Komunës së Preshevës thuhet edhe se “me kërkesën e Shtabit tanimë edhe KFORI me mjetet tokësore dhe ajrore është në teren duke kërkuar Besnik Osmanin”, gjë që përmes një përgjigje për PreshevaPRESS, KFORi e demantoi këtë njoftim të Komunës së Preshevës.
Zyrja e KFOR për mardhënie me publikun për PreshevaPRESS ka thënë se “me kërkimin është duke u marrë Policia e Kosovës dhe se ky operacion është në autorizimin e Policisë së Kosovës”, duke na sugjeruar se për çdo pyetje në lidhje me këtë rast të kontaktohet Policinë e Kosovës.
Derisa PreshevaPRESS po mundohet të sigurojë informacione të sakta rreth kërkimit të Besnik Osmanit, ne kemi kërkuar informacion edhe nga Policia e Kosovës rreth hapave dhe aktiviteteve të marra në lidhje me këtë rast.
Policia e Kosovës ekskluzivisht për PreshevaPRESS ka thënë se rasi i zhdukjes së Besnik Osmanit është inicuar në stacionin policor të Prishtinës, më 25.03.2020, një ditë pas zhdukjes së Osmanit dhe pesë ditë para Komunës së Preshevës.
Pas veprimeve hetimore është arritur të gjindet vetura e cila dyshohet se i përket viktimës, në fshatin Muqibab – Komuna e Gjilanit, ku në atë lokacion kanë dalur gjitha njësitë relevante policore për egzaminimin dhe hetimin e këtij rasti. Me urdhër të prokurorit vetura është konfiskuar për procedura të mëtejme hetimore.” thuhet në përgjigjen ekskluzive të Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës për PreshevaPRESS.
“Policia e Kosovës me njësitë e saja po vazhdon hetimet e mëtejme policore për rastin” përfundon përgjigja e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës dhënë ekskluzivisht për PreshevaPRESS.