Poeti Dashnim Hebibi sjell librin poetik, “Aristokracia e shpirtit”
Libri poetik, “Aristokracia e shpirtit”, e poetit Dashnim Hebibi, paraqet një prurje të re në letërsinë tonë të bukur. Poeti i talentuar nga Presheva dardane, Dashnim Hebibi, është i njohur tek komuniteti letrar shqiptar në mërgim e më më gjerë. Dashnim Hebibi u lind në Preshevë, në vitin 1976. Shkollën fillore dhe të mesmen, Dashnimi e kreu në vendlindje, ndërsa studimet për gazetari i kreu në Universitetin e Tiranës. Dashnim Hebibi, pas studimeve, ka kryer një master për gazetarinë dhe është diplomuar në Akademinë Diplomatike në Tiranë. Jeton në Byllah, qytezë afër Zyrihut.
Vullkani i poezisë sonë, Dashnim Hebibi, sjell në letërsinë tonë një vepër vërtet të bukur, “Aristokracia e shpirti”. Në ndeshje të kësaj bote / shkruan poeti; një ëndërr e kam të përhershme…/ shumë plagë kam në trup/ por betejat në ëndërr s´ndalojnë. / Brenda ëndrrës kam shqipen timen /…ëndrrat shtyhen me ëndërrat / shtyhem dhe unë / dua t´i afrohem qëllimit / por duar të hijeve të padukshme s´më lënë!…Këto dhe poezitë e tjera të Dashnim Hebibit tregojnë për fuqinë e vargut të tij.
Në udhën e panjohur të mërgimit shkruan Dashnimi, / atdheun e mora me vete / me vete mora dhe gjuhën / me vete mora dhe flamurin e shtëpisë/ që nëpër çaste përmallimi, të bashkëbisedojmë /…Poezia e Dashnimit Hebibit është poezi e nxehtë dhe shpërthyese. Dashuria për Dashnimin është gjithçka, i dashuruar! E bukura te Dashnimi e ka një zemër. Z. Atdhe, unë i fshikulloj ata që zgarravaqen nëpër bodrumet plot duhma të kësaj bote. Njeri, nga të gjitha ëndrrat / që më erdhën mbrëmë / një ishte ëndrra ime / dhe ajo,..më e guximshëm më puthi në ballë/… O vetja ime e mbyllur, duhet ta fitosh ëndërrën tënde, që brenda ëndrrës t´i mbjellësh lulet e ëndrrave.
Opusi letrar i Dashnim Hebibit është i gjerë, i thellë, dhe i përtej brendësisë së tij. “Në të gjitha krijimet e mia,- më thotë Dashnimi, -unë jam koha ime, arkitekti dhe ndërtuesi i botës që e dëshiroj”. Poeti Dashnim Hebibi deri më tash ka botuar këto vepra: 1. Njëqind orë udhëtim 2. Hënë e fshehur 3. Dahesti dhe Lerina 4. Lexim i tokës 5. Kosova, një zjarr amë 6 . Guri i kohës 7. Aristokracia e shpirtit 8. 16 plumbat e fjalës 9. Dialog me gurin 10. Antologjia e shkrimeve të mia.
Artistikja e veprave të Dashnim Hebibit, është e gjerë dhe me ngjyra të theksuara të kohës. „Lufta e të kundërtave,- shkruan Dashnim Habibi,- në qenien time vazhdon prej mijëra vjetësh, vuajtjesh e përplasjesh. Udha nëpër nëndegët e Mollës së Kuqe dhe nëpër nënhijet e saj, është epika e vargut tim. Z. Atdhe, unë poezinë e shoh si një proces në mua. Prandaj, gjakoj për të vërtetën, për të bukurën, për thirrjet e ajrit dhe të erës. Kur ndodhem vetëm me veten i bëj pyetje kujtesës: sa jam i sotshëm dhe sa jam i nesërm?! Përgjigjja fshihet diku miidis pyetjeve”.
Xhaxhi Atdhe, sa herë jam në Preshevë, jo rrallë me zë kënga, pagjumësia, dehja për ma të bukurën dhe më të dashurën. Vargjet kryengritëse në kraharorin tim vet e bëjnë betejën. Dhimbja për Krahinën e Mollës së Kuqe, mua dhe këngën time kudo që jam më ndjek. O vetja ime e trazuar, ulu nën hije të kësaj peme të të them diçka; jeta më dhuroi ca gjëra, por jo dhe fitoren.
Shpirt, kam një degëz molle, me aromë të luleve të vendlindjes. Hijëza ime, rri afër meje, mjegullat mund të shtohen, por, kujdes të mos e humbim njëri- tjetrin. Sa herë më zë malli, degëzen time e përqafoj me një pikë loti të nxehtë. Takimi im me lulet e gurëve është një përjetim i veçantë. Trëndëfilat e shkëmbit shumë më pëlqejnë. Me gurin unë bisedoj si me një mik të gjakut tim, me të jam i familjarizuar. Natyrshmëria dhe elementi bisedor poetik librit të Dashnimi Hebibit i japin vlerë. Në peisazhin poetik të 10 veprave të Dashnim Hebibit, lexuesi mund të përjetojë së bashku me poetin, afshin e tokës së shkelur, prerjen e mishit nga gjaku, dhimbjen e çdoditshme të vendlindjes së tij pa liri. Z. Atdhe, një lule e reve në oborr të shtëpisë diçka më thotë, por fjalët e saj do t´i them më vonë.