Kryesore

KKSh me kërkesa konkrete ndaj Trupit Koordinues

Gjatë se martes (dje), kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka zhvilluar takim pune me u.d. të drejtorit të Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitriviq me bashkëpunëtorë.

Pas takimi të zhvilluar në sallën e vogël të Shtëpisë së kulturës, është kryetari Lutfiu që ka sqaruar se për çfar kanë biseduar.

Takimi i dytë me përfaqësuesit e Trupit Koordinues

“Në këtë takim kërkova që sa më shpejtë të gjindet zgjidhja për hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe tek çerdhja “Gëzimi ynë”, në Bujanoc, në të kundërtën paralajmërova se personalisht bashkë me prindërit e fëmijëve shqiptarë do të organizojmë protestë para këtij institucioni” – thuhet ndër të tjera në njoftimin e kryetarit Lutfiu.

Gjithashtu, kreu i institucionit që përbëhet vetëm nga shqiptarët, Nevzad Lutfiu, ka kërkuar punësimin e shqiptarëve në shkollën e muzikës, në mënyrë që nxënësit shqiptarë të mos vijojnë mësimin për këtë lëndë nëpër shkollat e ndryshme në Kosovë.

Sipas tij, në këtë takim u premtua se shumë shpejt Trupi Kordinues do të organizoj një takim të përbashkët me të gjithë akterët për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Jam gjithmonë i gatshëm që për interesa të komunitetit t’i takoj të gjithë akterët më të cilët lidhen interesat e tona” – thuhet në fund të postimit të kryetarit Nevzad Lutfiu.

Ky ishte takimi i dytë i zhvilluar ndërmjet kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu me bashkëpunëtorë dhe Nenad Mitroviq, ushtrues detyre i drejtorit të Trupit Koordinues i shoqëruar nga bashkëpunëtorët. Takimi u zhvillua në “neutralitet” në sallën e vogël të Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc dhe ditëve në vijim pritet të dalin rezultatet nga dy takimet e zhvilluara ndërmjet përfaqësuesit të shqiptarëve dhe atij të Qeverisë serbe./LUGINALAJMI/