Petkoviq reagon pas deklaratës së Kurtit për reciprocitet, e quan kërcënim për Serbinë
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se për marrëveshjen për targat, parimi i reciprocitetit është i “padiskutueshëm dhe i panegociueshëm”.
Përmes një komunikate për media, Petkoviq tha se Kurti nuk ka kredibilitet që të flasë për reciprocitetin në dialogun dhe marrëveshjet e arritura me Beogradin.
Deklarata të tilla nuk janë gjë tjetër veçse një kërcënim i parakohshëm dhe nuk kanë të bëjnë fare me respektimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 18 prill se zgjidhja për çështjen e targave duhet të bazohet në parimin e reciprocitetit.
“Ajo që e di që është e padiskutueshme, e panegociueshme është parimi i reciprocitetit si thelb i çfarëdo zgjidhjeje të ardhshme”, tha Kurti.
Siç thuhet në njoftimin e Zyrës për Kosovën të Qeverisë Serbe, Beogradi ka thënë se do të jetë pala përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe së pari do të kujdeset për serbët.
“Nëse ai vërtetë është i përkushtuar për ndërtimin e paqes dhe bashkëjetesës së qëndrueshme në Kosovë dhe më gjerë, në Ballkanin Perëndimor, Kurti do të kishte mundësuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kështu do të kontribuonte në stabilizimin e situatës në terren dhe respektimit të të drejtave të popullit serb në Kosovë”, tha Petkoviq.
Grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë afat që deri më 21 prill të arrijnë një marrëveshje për targat, pasi aktualisht është në fuqi një marrëveshje e përkohshme e targave, ku makinat nga Kosova dhe Serbia duhet të mbulojnë me letër ngjitëse simbolet shtetërore në targa.
Në shtator të vitit të kaluar, Kosova kishte vendosur masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Shoferët e makinave me targa serbe, me të hyrë në Kosovë u detyruan që të pajisjen me targa provuese. Ideja ishte që këto targa provuese të ishin të vlefshme për 60 ditë dhe të kushtonin pesë euro.
Deri atëherë, qytetarët e Kosovës, të cilët kishin targa RKS (Republika e Kosovës), përgjatë një dekade, kur hynin në territorin e Serbisë, paguanin rreth pesë euro për targat provuese, që vlenin për 60 ditë.
Por, vendosja e reciprocitetit nxiti protesta dhe bllokada nga serbët lokalë, të cilët shtatorin e kaluar bllokuan rrugët që çonin në dy pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të përkohshme për targat. Por, grupet punuese nga Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë afat që deri më 21 prill të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kishte deklaruar në mars për REL-in se ishte optimist se grupet punuese do të prezantonin propozime për këtë çështje, për të cilat më pas do të vendosnin udhëheqja politike e të dyja shteteve.