Lajme

Petkoviq: Kurti synon t’i shuajë institucionet që duhet të jenë themel i Asociacionit

Petar Petkoviq, kryenegociator i Serbisë në dialogun me Kosovën, ka thënë pas takimeve të së martës në Bruksel për çështjen e dinarit në Kosovë, se kryeministri i Kosovës “Albin Kurti synon t’i shuajë institucionet që duhet të jenë themel i Asociacionit të komunave me shumicë serbë”.

Në deklaratën për media pas takimeve, Petkoviq e ka quajtur çështjen e dinarit “vendim politik që ka për qëllim largimin e serbëve”.

“Ne si palë e përgjegjshme kemi insistuar që vendimet e dyshimta të eliminohen”, ka thënë ai duke shtuar se posta nga të cilat serbët i marrin pjetet duhet të veprojë ende në Kosovë “sepse serbët i marrin nga aty pagat, pensionet, skemat sociale e të tjera”.

“Nuk është fjala vetëm për serbët, por edhe për institucionet serbe, si shëndetësia, arsimi e të tjera. Kemi treguar problemet me të cilat përballet populli serb. Jemi të gatshëm të gjejmë një zgjidhje që serbët të vazhdojnë t’i marrin pagat, pensionet e të tjera. Duhet të gjejmë zgjidhje, që nuk e rrezikon mbetjen e serbëve në Kosovë. Krejt çka po bën Kurti është të shuajë institucionet e Serbisë në Kosovë, të cilat duhet të jenë themel i Asociacionit”, ka thënë Petkoviqi.

Ai ka deklaruar se për zgjidhjen e problemeve duhen diskutime në nivel politik. Ka shtuar se pret që të diskutohet për këtë temë edhe në të ardhmen.