Pesë mijë kilometra mbi motor, për të shijuar trojet shqiptare
Të lodhur nga moti i keq në Zvicër, katër motoristë shqiptarë po bënin planin për të nisur aventurën e tyre verore drejt Kosovës e Shqipërisë me motorët që i kishte mbuluar pluhuri dimëror. Ata po hapnin hartat dhe vijëzonin rrugët e qytetet që donin t`i vizitonin. Kishin nisur me Ulqinin e deri në Gjirokastër, Korçë, Strugë e Prishtinë, por me të kuqe po bënin Prekazin e Krujën, si vende ku ka nisur rezistenca shqiptare e cila lidhet pashmangshëm edhe me historinë e migrimit të familjeve të tyre…
Katër shokë nga katër qytete të ndryshme, të bashkuar rreth klubi “Plisat” në Zvicër, tashmë kishin nisur aventurën e tyre drejt Shqipërisë duke ngarkuar motorët për adrenalinën e tyre tri javore në trenin e zhurmshëm të natës. Ai do t`i shpiente ata përmes Austrisë deri në kufirin e alpeve sllovene, për të vazhduar tutje rrugëve të ftohta gjarpërore deri në dalje të Adriatikut. Aty ku rruga e tyre do të merrte kursin drejt vendit të etërve të tyre; duke kaluar përmes qyteteve dalmate me gjurmë ilire deri ne Ulqinin e shqiptarëve.
“Rijekën bregdetare po e konsideronim si vijën startuese të aventurës sonë tri javore dhe këtu me aromën e detit, po fillonte kënaqesia jonë e madhe“, nisë rrëfimin e rrugëtimit të tij drejt Splitit, Lavdrimi nga Zajasi i Kërçovës. Ai është një djalë i ri i cili është rritur në Cyrih me shumë shqiptarë të viseve të ndryshme, por Kosovën e Shqipërinë nuk e ka parë e vizituar asnjëherë siç po priste ta shihte në këtë aventurë me Valmirin e Topanicës. Kështu e thërret ai shokun e tij të fëmijërisë, Valmir Murinën, i cili ka prejardhjen nga Topanica e Kamenicës.
I bashkoi pasioni për motorët dhe për trojet shqiptare