Përurohet “Léman Expres”, linja më e madhe ndërkufitare e trenave në Evropë
Dje në Gjenevë, në Zvicrën perëndimore (frankofone), është bërë përurimi i hekurudhës “Léman Express”. Kjo hekurudhë lidh lokalitetin Coppet të Kantonit Vaud me Gjenevën si dhe me stacione të ndryshme hekurudhore, matanë kufirit, në Francë, shkruan srf.ch.
Në solemnitetin e përurimit ka qenë edhe ministrja federale Simonetta Sommaruga (nga 1 janari 2020, presidente e Konfederatës së Zvicrës) dhe shumë përfaqësues politikë të kantoneve përkatëse zvicerane si dhe të Francës.
Me funksionalizimin e kësaj linje hekurudhore pritet të shkarkohet ndjeshëm komunikacioni rrugor në zonën e gjerë të Gjenevës.
Kostoja e ndërtimit të kësaj linje, për pjesën zvicerane ka qenë 1.6 miliard franga, ndërsa për pjesën franceze, 230 milionë euro.
Fillimi i funksionimit të linjës Léman Express është caktuar për 15 dhjetor, kur dhe bëhet ndryshimi vjetor i orareve të trenave në Zvicër. Me këtë akt, jetësohet rrjeti më i madh ndërkufitar hekurudhor i Evropës. Në vijën prej 230 kilometrash kjo hekurudhë i lidh 45 stacione në kantonet Vaud dhe Gjenevë, brenda Zvicrës si dhe në provincën franceze Haute Savoie.