Lajme

Përmbytje të mëdha në Bosnje, raportohen viktima

Në territorin e komunës së Jabllanicë është raportuar për viktima pas reshjeve të shiut gjatë natës, që shkaktuan rrëshqitje të dheut në Bosnje e Hercegovinë.

Kështu tha Marija Buhaç, kryeministrja e Qarkut të Hercegovinës dhe Neretvës. Ajo nuk specifikoi për sa viktima bëhet fjalë.

“Fatkeqësisht, sipas informacioneve të para, kemi edhe viktima njerëzore. Kemi kërkuar ndihmë nga Forcat e Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës që të dërgojnë një helikopter për të shpëtuar jetën e një fëmije në Jabllanicë”, tha ajo gjatë një konference të jashtëzakonshme për media në Mostar.

Ndërkaq, një helikopter i forcave të Bashkimit Evropian në Bosnje (EUFOR) po transporton nga Jabllanica personat e plagosur rëndë, tha Ministria e Sigurisë e Bosnje e Hercegovinës.

Kryetari i Jabllanicës, Damir Shabanoviq, tha se në këtë komunë dhe në mbarë shtetin do të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore.

“Është kaos. Kemi viktima, por nuk e dimë se sa. Dëmet materiale janë jashtëzakonisht të mëdha”, tha ai.

Adill Shuta, komandanti i Shtabit të Mbrojtjes Civile të Qarkut të Hercegovinës dhe Neretvës, njëherësh ministër i Financave, tha se autoritetet kanë angazhuar të gjitha forcat e disponueshme, duke shtuar se ato “po përparojnë nga Mostari drejt Jabllanicës”, ndërsa në një pjesë e fshatit Buturoviq Pole, fshat midis Jabllanicës dhe Konjicës, gjendja është kritike”.

Darko Juka, zëdhënësi i Qeverisë së HNK-së, tha se qarkullimi rrugor është plotësisht i ndërprerë, ndërkaq linjat e komunikimit telefonik janë ndërprerë pjesërisht në zonën e Jabllanicës dhe Konjicës.

Juka tha se ka pasur rrëshqitje të dheut dhe dalje të lumenjve nga shtrati. Ai tha se rrugët nga Jabllanica drejt veriut dhe qytetit Prozor-Rama janë shembur.