Përkeqësohet gjendja shëndetësore e legjendës së futbollit, Pele
Legjenda e futbollit, Pele nuk është mirë me shëndet.
Gjendja e tij është përkeqësuar dhe ai nuk mund të ecë pa ndihmë, tha djali i tij Edinho në një intervistë të botuar në Brazil të hënën, përcjell GazetaBlic.
Pele, një nga futbollistët më të mëdhenj në histori ka pasur telashe me shëndet ndër vite.
Shumë nga paraqitjet e tij të fundit në publik kanë qenë me një karrige me rrota.
“Ai nuk është mirë, nuk ka një rehabilitim adekuat ose ideal”, tha Edinho për TV Globo.
“Kështu që ai e ka këtë problem me lëvizshmërinë dhe ka një lloj depresioni. Imagjinoni, ai ishte mbreti, dhe sot ai nuk mund të ecë siç duhet.”
“Ai është në siklet, ai nuk dëshiron të dalë, të shihet ose të bëjë praktikisht gjithçka që përfshin largimin nga shtëpia,” shtoi djali i tij.
Edinho tha se ai kishte debatuar me babanë e tij sepse ai nuk kishte bërë fizioterapinë e kërkuar pas një operacioni.
Pele, lojtari i vetëm që fitoi tre Kupa Botërore, kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij me ekipin brazilian Santos para se të transferohej në New York Cosmos në vitet 1970.