Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në luftë politike, përfaqësuesit e shqiptarëve në Serbi në luftë për çështje ekzistenciale
Pabarazia e përfaqësimit të shqiptarëve që janë pakicë në Serbi dhe të serbëve të janë pakicë në Kosovë nuk është e kufizuar vetëm në numra. Pabarazia është e shpërfaqur edhe në mendësinë dhe mënyrën e ushtrimit të detyrave politike që kanë përfaqësuesit e shqiptarëve në Serbi dhe përfaqësuesit e serbëve në Kosovë.
Në zgjedhjet e fundit në Serbi, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë marrë 3 ulëse në Kuvendin e Serbisë nëpërmjet Shaip Kamberit, Nadije Beqirit dhe Argjend Bajramit e që të tre po mundohen që me fjalimet e tyre t’i adresojnë problemet e shqiptarëve që jetojnë në atë pjesë tek institucionet serbe, shkruan lajmi.net.
Ani pse nuk janë pjesë e qeverisë së Serbisë, shqiptarët e Luginës në rolin e deputetit po merren me çështjet ekzistenciale të shqiptarëve atje, derisa përfaqësuesit e serbëve në Kosovë bëjnë luftë politike ndaj institucioneve të Kosovës.
Derisa adresimet e tyre kanë fokusin në çështjet ekzistenciale, ndryshe qëndron në Kosovë tek deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës të cilët nëpërmjet ulëseve të garantuara në Kuvend, shantazhojnë dhe kërcënojnë institucionet e Kosovës me luftë politike në koordinim të hapur me Beogradin zyrtar.
Në seancat e Kuvendit të Serbisë, deputetët shqiptarë nga Lugina e Preshevës po adresojnë çështjet e tyre kryesore me të cilat preokupohen qytetarët në ato pjesë, nga mungesa e spitaleve e deri tek heqja nga regjistri civil.
Deputetët shqiptarë të Luginës kanë treguar se në Serbi nuk mund të punësohesh me diplomë të institucioneve arsimore të Kosovës, ani pse në negociatat për çështje teknike të ndërmjetësuara nga Brukseli, më 2011 Prishtina dhe Beogradi kishin arritur marrëveshjen për njohje reciproke të diplomave. Në vitin 2016 kjo marrëveshje ishte zgjeruar duke përfshirë njohjen reciproke të diplomave të të gjitha niveleve të shkollimit.
E në një nga fjalimet e vona në Kuvendin e Serbisë, deputeti shqiptar, Argjend Bajrami ka thënë se qytetarët e Luginës së Preshevës iu duhet të udhëtojnë një orë për në spitalin më të afërt.
“Dua të ju rikujtoj se qytetarët e Luginës së Preshevës që edhe për problemet më të vogla shëndetësore duhet të shkojnë në spitalin më të afërt, i cili ndodhet afër 50 kilometra nga shtëpitë tona. Pra, ta keni parasysh që për çdo rast të ndihmës së parë, neve na duhet të paktën një orë derisa të arrijmë në spitalin më të afërt, kurse mbi numrin sa i përket pacientëve që kanë vdekur gjatë rrugës para se të mbërrijnë në spitale, këtë gjë as që dua ta komentoj, pasi këto janë kushtet më çnjerëzore që nuk ekzistojnë as në vendet më të varfra të planetit. Ku ishte Qeveria juaj gjatë këtyre kohërave të vështira për Preshevën?”, tha Bajrami.
E përveç kësaj, politikanët e Luginës së Preshevës janë ankuar se në spitalin në fjalë nuk punon asnjë shqiptar.
Liderët e udhëheqësit politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës janë ankuar gjithashtu se po kanë probleme me dokumentet e identifikimit. Kjo, pasi shteti serb është në vazhdimësi duke i larguar nga regjistri personal ata për arsye politike që t’i largojnë edhe nga lista e votuesve.
Ata, nuk lejohen as të përdorin simbolet kombëtare. Ka pasur raste kur në Luginën e Preshevës kanë ndodhur arrestime edhe në dasma e ahengje familjare për përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar.
Shqetësimet lidhur me ekonominë, punësimin e mirëqenien sociale në Luginën e Preshevës janë enorme dhe lidhur me këtë Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa pati kërkuar që çështja e shqiptarëve të Luginës të futet në dialogun Kosovë – Serbi.
“Janë shtuar zërat se ky dialog nuk duhet të trajtojë çështjen e kufijve. Ajo u takon palëve. Por besojmë fuqishëm se kjo kërkesë duhet të merret parasysh. Është treni i fundit që në këtë dialog të përfshihet edhe Lugina e Preshevës. Në vitin 1992 në mënyrë plebishtare kemi votuar me shumicë absolute që të i bashkohemi Kosovës. Kemi shpresuar që marrëveshja e vitit 2001 të zgjidhë. Sot shqiptarët e Luginës janë minoriteti më i diskriminuar në Europë. Jemi njëzëri që çështja jonë të përfshihet në dialog. Jemi marrë vesh në Këshill, ku përfshihet Medvegja, Bujanoci dhe Presheva, që të kërkojmë nga shteti i Kosovës përfshirjen e çështjes së shqiptarëve të Luginës në dialog.”, kishte thënë Mustafa.
Krejtësisht ndryshe nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës e kanë qasjen përfaqësuesit politik të serbëve në Kosovë. Ata, përveç se kanë ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës, gjatë gjithë kohës koordinohen hapur me Beogradin zyrtar për politikat e tyre lokale në Kosovë.
Lista Serbe, që nga themelimi i saj në vitin 2013, me mbështetjen e plotë të autoriteteve të Beogradit, e deri më sot ka marrë pjesë në institucionet e Kosovës dhe në jetën politike të vendit, me moton për të mbrojtur dhe avancuar interesat e komunitetit serb në Kosovë, por duke deklaruar publikisht se e ndjekin tërësisht politikën e kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në tetor të këtij viti, Lista Serbe kishte kërcënuar kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti se do të tërhiqeshin nga qeveria dhe se do ta rrëzonin nëse nuk themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
E burimi i këtyre kërcënimeve ishte në Beograd ku kreu i Listës Serbe ishte takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq i cili i kishte kërkuar atij ta rrëzonin qeverinë, duke shantazhuar kështu institucionet e Kosovës nëpërmjet tyre.
Ani pse i gëzojnë të drejtat e plota në institucionet e Kosovës, nga pozita e zëvendëskryeministrit, të ministrave e zëvendësministrave dhe gjithashtu ulëset e garantuara në Kuvendin e Kosovës, ata këto të drejta i shfrytëzojnë jo për të përmirësuar jetën e serbëve të Kosovës por për qëllime instrumentale të Beogradit zyrtar.
Kështu, në koordinim me Beogradin zyrtar, Lista Serbe kishte kërkuar që të ketë gjithashtu edhe një zëvendëspresident në Kosovë.
Gjithashtu, Partia Serbe e Kosovës vazhdimisht kur ka zgjedhje në Kosovë ankohet se Lista Serbe i ka eliminuar të gjithë kundërshtarët politikë në komunat me shumicë serbe, ndërsa populli është i shantazhuar prej tyre.
Në zgjedhjet e 6 tetorit, PSK kishte deklaruar se posedojnë fakte dhe materiale të kërcënimeve dhe shantazhimeve të Listës Serbe, por që ato zëra u shuan dhe asnjëherë asgjë nuk u publikua.
“Partia e Serbëve të Kosovës do ta informojë KQZ-në, Prokurorinë e Kosovës dhe PK-në për kërcënimet që ju po ua bëni këto ditë anëtarëve të komisioneve zgjedhore, të cilët janë miratuar në mënyrë të rregullt nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke dërguar fakte të mbledhura dhe deklarata të viktimave të cilët u janë nënshtruar kërcënimeve dhe presionit.”, thuhej në këtë deklaratë.
Lista Serbe ka mbështetjen e plotë të Beogradit zyrtar dhe kjo ia shumëfishon fuqinë politike në Kosovë, e të drejtat e garantuara sipas Kushtetutës ia mundësojnë implementimin e politikave destruktive.
Tash e sa kohë është propozuar së ulëset dhe vendet e garantuara të serbëve në institucionet e Kosovës të largohen nga Kushtetuta por një gjë e tillë ende nuk është gati të ndodh. /lajminet