Për vrasjet e 10 shkurtit, Kurti si kryeministër, i kërkon përgjegjësi UNMIK-ut
Familjarë, miq, e anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë përkujtuar Mon Balajn e Arben Xheladinin në 13-vjetorin e vdekjes.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sakrificën e tyre asnjëherë nuk do ta harrojë.
Te pllaka përkujtimore e dy aktivistëve, të cilët u vranë 13 vjet më parë gjatë protestës me të cilën kundërshtoheshin Pakoja e Ahtisaarit dhe negociatat me Serbinë, Kurti tha se protesta e vitit 2007 ishte e drejtë, raporton KTV.
Kurti tani nga posti i kryeministrit ka kërkuar përgjegjësi nga UNMIK-u për vrasjet e dy protestuesve.
Ndërkaq vëllai i Monit, Fahri Balaj, tha se sot duhet të ndihen krenarë se ëndrrat e dy aktivistëve po bëhen realitet. Ai theksoi se familja e tij u rreshtua krah lëvizjeve dhe individëve që kishin idealin e një shteti të barabartë për të gjithë.
Mon Balaj e Arben Xheladini u vranë nga policia e UNMIK-ut gjatë protestës të cilën Vetëvendosje e kishte organizuar kundër negociatave me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit.
Në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007, rreth 80 protestues kishin mbetur të lënduar.
Pas vdekjes së tyre, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Liritë e Njeriut, ka kërkuar drejtësi për viktimat e 10 shkurtit, si dhe ka kërkuar që viktimat, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, të pranohen si viktima politike, të rehabilitohen dhe ta fitojnë statusin e merituar, ndërsa familjet e tyre të fitojnë të drejtën që e gëzojnë familjet e viktimave civile të luftës.