Për të pestën herë në votim, Tërnovci i Madh “mban peng” përbërjen e Kuvendit të Serbisë
Përbërja e ardhshme e Kuvendit të Serbisë varet nga një fshat i vogël në jug të këtij vendi. Gati tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare, rezultatet nuk dihen ende.
Kjo, për arsye të përsëritjes së votimeve në fshatin Tërnovc i Madh i Bujanocit, si pasojë e disa parregullsive.
Banorët atje do të dalin sërish në votime më 30 qershor – në përpjekjen e pestë.
Nga votat e tyre varet nëse përfaqësuesit e pakicës shqiptare në Serbi do të fitojnë mandatin e vetëm në Kuvend. Të drejtë vote në vendvotimin në Shkollën Fillore “Muharrem Kadriu” kanë 1,089 votues.
Sipas ndarjes së përgjithshme të mandateve, nëse lista e komunitetit shqiptar fiton një mandat, ai mandat do t’i hiqet pastaj Partisë Socialiste të Serbisë (SPS).
Për këtë arsye, Shaip Kamberi, i cili udhëheq “Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës”, akuzon SPS-në se po tenton të sabotojë votimin.
Në anën tjetër, Velko Odalloviq, anëtar i Komisionit Kryesor të SPS-së, mohon se partia e tij ka bërë përpjekje të prishë ditën e zgjedhjeve.
Bomba, provokime dhe konfiskim i listave të zgjedhësve
Sipas tij, synimi ka qenë që anëtarët e komisionit zgjedhor nga radhët e “Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës” të jenë të pranishëm vetëm si vëzhgues.
“Ne, si pjesëmarrës, nuk kemi mundur të lejojmë nisjen e procesit [zgjedhor]”, thotë Kamberi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Komisionet në vendvotimeve janë organe të administrimit zgjedhor, që e drejtojnë direkt votimin në një vendvotim, ndërsa vëzhguesit e procesit zgjedhor mbikëqyrin mbarëvajtjen e procedurave në ditën e zgjedhjeve.
Kamberi thotë se SPS-ja ka dërguar në Tërnovc të Madh një anëtar të komisionit zgjedhor nga Subotica – në veri të Serbisë – i cili, siç pretendon ky përfaqësues i listës shqiptare, ka provokuar anëtarët e pranishëm të komisionit.
“Është e zakonshme që anëtarët e komisionit të jenë njerëz që e njohin terrenin dhe njerëz që mund të kuptohen. Kur dikush vjen nga jashtë, me udhëzime të sakta se çfarë të bëjë, me gjuhë urrejtjeje se ‘kjo është një mbretëri dhe nuk keni asgjë për të kërkuar aty’, atëherë është e qartë se qëllim është provokimi i situatës”, thotë Kamberi.
Odalloviq, nga SPS-ja, akuzon përfaqësuesit e partive shqiptare për minim të zgjedhjeve dhe thotë se propozimi i socialistëve ka qenë që procesi zgjedhor të mbikëqyret nga një anëtar i komunitetit shqiptar dhe një serb.
“Ka qenë pala shqiptare ajo që i ka marrë listat e votuesve dhe nuk ka dashur të lejojë askënd t’i kontrollojë. Ne kemi qenë dëshmitarë të një përpjekjeje për të penguar procesin dhe për të mos lejuar fillimin e tij”, thotë Odalloviq.
Ai shton se akuzat se anëtari i SPS-së i ka provokuar përfaqësuesit shqiptarë, nuk janë të vërteta.