PDK: Aktivistët e VV-së kanë sulmuar zyrtarin e partisë tonë
Dega e PDK-së në Ferizaj ka bërë të ditur se të shtunën e kaluar aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, sulmuan aktivistin e devotshëm politik të Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj dhe humanistin Jakup Sabedini.
Me këtë rast, ky i fundit ka pësuar lëndime të rënda trupore, ku ofrimi i shërbimeve urgjente mjekësore ishte i pashmangshëm.
Rasti është raportuar tek organet e sigurisë, porse deri më tani, nuk ka asnjë veprim që do ta ndriçonte rastin në plotni.Kryesia e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, përmes këtij reagimi, dënon fuqishëm këtë akt të dhunës të motivuar politikisht dhe fton organet e drejtësisë dhe ato të sigurisë ta ndriçojnë këtë rast dhe të mbajnë përgjegjës kryesit deri në dënimin meritor.
“Shembujt e tillë ku spiralja e dhunës shtrihet mbi aktivistët politik dhe humanistët e dalluar, thyejnë rëndë besimin e qytetarëve në forcat politike dhe humbin përfundimisht parametrat e një gare e pjesëmarrje të ndershme në subjektet e aktivitetet politike”, thuhet në reagim.
Aktivisti Sabedini, ishte i anëtar i shtabit zgjedhor lokal në PDK-n e Ferizajt, në zgjedhjet e 6 tetorit, motiv ky i cili, sipas Degës së PDK-së, nxiti sulmin ndaj tij nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje e si rrjedhojë, kërcënimet e tilla kanë ndodhur për një interval të konsiderueshëm kohor.