PD ka nominuar Bajram Mustafën e Nadije Beqirin kanditat potencial për deputet
Partia Demokratike ka nominuar Bajram Mustafën nga Medvegja dhe Nadije Beqirin nga komuna e Bujanocit kandidatë potencial për deputet në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Serbi.
Në mbledhjen e mbajtur të kryesisë së Partisë Demokratike më datë 11.03.2020 është vendosur për propozimet e kandidatëve potencial për deputet në listën e përbashkët shqiptare për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 26.04.2020.
Duke u nisur nga fakti se unifikimi i faktorit politik shqiptar nuk ka kuptim pa përfshirjen e shqiptarëve të komunës së Medvegjës, dhe duke e ditur se dy deputetët tjerë nga partitë tjera shqiptare janë nga komuna e Bujanocit, respektivisht nga komuna e Preshevës, Partia Demokratike ka propozuar që kryetari i degës së PD-së në Medvegjë z. Bajram Mustafa të jetë njëri prej kandidatëve potencial në listën e përbashkët shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Serbi, i cili do të jetë zëri i shqiptarëve të Medvegjës.
Gjithashtu, nga kjo mbledhje është propozuar edhe kandidatja tjetër potenciale znj. Nadije Beqiri nga fshati Lluçan, ekonomiste e diplomuar, punëtore shumëvjeçare në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc.
Partia Demokratike me këtë rast ka bërë ftesë publike ndaj të gjitha partive tjera shqiptare pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare që sa më shpejt të ulen në tryezë të rrumbullakët për të formuar grupet punuese dhe për të diskutuar rreth mbledhjes së nënshkrimeve në një vend të përbashkët, si dhe çështje tjera të lidhura me zgjedhjet parlamentare.
Mbesim me shpresë që marrëveshja e nënshkruar në Tiranë me iniciativë të ministrit Cakaj të jetësohet në mënyrën më të mirë të mundshme.