Pas raportimit të Ministria e Lajmeve, Sinani sot mblodhi ShKSJ në lidhje me situatën e Covid-19 në Preshevë
Redaksia e Ministria e Lajmeve dje raportoi bilancin e javës së fundit rreth situatëns epidemiologjike të shkaktuar nga Covid-19 në komunën e Preshevës.
Pas raportimit tonë dhe kërkesës kundrejt organeve komunale, sot kryetarja e komunës së Preshevës Ardita Sinani, thirri në mbledhje Shtabin Komunal për Situata të Jashtëzakonshme në lidhje me situatën e krijuar nga Covid-19.
Postimi i plotë i znj.Sinani :
Lajmi i mirë : 0 viktima, 2 të hospitalizuar nga qindra raste pozitive!
Lajmi i keq: Po rriten infektimet, sidomos në mesin e nxënësve!
Ky është konkluzioni kryesor i bilancit zyrtar të muajit janar lidhur me situatën epidemiologjike me COVID-19 në komunën e Preshevës, të cilën e trajtuam sot në mbledhjen e shtabit komunal për situata të jashtëzakonshme.
Sipas raportimit, përkatësisht të dhënave zyrtare të Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, gjatë muajit janar, nga 1163 qytetarë që janë testuar me testin antigjen, 302 kanë rezultuar pozitiv. Kurse nga 50 qytetarë të testuar me PCR, 19 kanë rezultuar pozitiv.
Shumica e rasteve pozitive janë infektuar gjatë javës së fundit.
Fatmirësisht nuk kemi viktima dhe nga qindra raste të të infektuarëve aktualisht, 2 janë detyruar të hospitalizohen.
Por brengosës është fakti se tashmë janë infektuar edhe jo pak nxënës. Gjithsej 70 në të gjitha institucionet arsimore të Komunës së Preshevës, prej të cilëve 35 vetëm në shkollën fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë.
Shtabi Komunal kërkoi nga drejtoritë e Entit Parashkollor “8 Marsi” dhe të shkollave fillore e të mesme, t’i zbatojnë masat mbrojtëse, t’i evidentojnë paraqitjet e infektimeve, si dhe ta sigurojnë mësimin online për nxënësit e infektuar.