Lajme

Parimi i reciprocitetit diskutohet në takimin e Kurtit me përfaqësuesit e pakicave në Serbi

Parimi i reciprocitetit dhe simetrisë së të drejtave të pakicave kombëtare në Ballkanin Perëndimor është formula e duhur për arritjen e një paqeje të qëndrueshme e afatgjate në rajon, është thënë në takimin që kryeministri Albin Kurti ka pasur të enjten me përfaqësues politikë shqiptarë e boshnjakë në Serbi.

Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka takuar kryetarin e Partisë Aksioni Demokratik në Shanxhak (SDA), Dr. Sulejman Ugljanin, deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, përfaqësuesit politikë boshnjakë në Serbi, Esad Salihoviq, Selma Kuceviq, Ado Kameniscanin, dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu.

“Në takim u diskutua për brengat dhe shkeljet të cilat në mënyrë të vazhdueshme i përjetojnë si pakica shqiptare e po ashtu edhe ajo boshnjake në Serbi, dhe për atë se çfarë mund të bëhet së bashku për të përmirësuar këtë gjendje”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, Kurti i ka njoftuar përfaqësuesit e komuniteteve në Serbi edhe për takimin që pati me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel më 14 shtator.

Tema tjera të diskutimit ishin edhe mandatet e garantuara, përfaqësimi i garantuar institucional, pasivizimi i adresave të vendbanimeve, shkelja e të drejtave të pakicave dhe vështirësitë në përdorimin e gjuhës dhe simboleve, thuhet në fund të njoftimit.