Opinione

Parashikimi i analistit politik: Javën e ardhshme nis procedura për Qeverinë e re, ja deri kur pritet të zgjasë koaliconi LDK-AAK-NISMA!

Analisti politik, Arton Demhasaj ka thënë se presidenti Thaçi po insiston që shumë shpejtë të nisë procedurat për formimin e qeverisë së re, ku pritet që mandatin t’ia japë Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkruan GazetaBlic.

Demhasaj tha për GazetaBlic se koalicioni i cili ka gjasa të udhëheqë me qeverinë e ardhshme, mundet të prishet menjëherë pas ratifikimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Kuvend.

“Unë po mendoj që duke e pa parlajmërimin e presidentit, që javën e ardshme fillon procedura e zgjedhjes së qeverisë së re, mundet me u dhanë mandatari te LDK-ja, për shkak që tash e dijmë që VV-ja po reziston dhe nuk po e jep emrin, kështu që presidenti po mundohet qysh nga nesër të merr iniciativën dhe të nominojë dikë nga LDK-ja, dhe mos ta pres VV-në.”

“Mendoj që ky koalicon nëse ndodhë, ka me zgjat deri sa të kryhet dialogu, të nënshkruhet marrëveshja dhe të ratifikohet marrëveshja në kuvend, e pas ratifikimit të marrëveshjes, vendi mundet me shku prap në zgjedhje, po kjo mund të jetë vetëm një opsion”, tha Demhasaj për GazetaBlic.

Demhasaj ka komentuar edhe deklaratat e emisarit special të presidentit amerikan për Kosovën dhe Serbinë, Richard Grenell, i cili ka thënë se posa të hiqen tarifa dhe reciprociteti këtë javë edhe siç ka deklaruar presidenti Thaçi, atëherë dialogu do të nis me intensitet më të shtuar.

Demhasaj thotë se SHBA-ja qysh moti ka qenë pro krijimit të një qeverie të re si dhe rrëzimit të qeverisë Kurti.

“Ne e dijmë që SHBA-ja vazhdimisht ka insistu me e heqë edhe taksën edhe reciprocitetin, ajo që ndikoi që qeveria Kurti me ra, dhe normalisht kushdo që ta krijojë qeverinë, gjëja e parë që do ta bëjë, është heqja e reciprocitetit dhe rifillimi i dialogut me Serbinë.”

“Është pa moti që ka një përkrahje nga SHBA-ja, rrëzimi i qeverisë Kurti dhe krijimi i një qeverie të re”, theksoi tutje ai.