Pacolli: Të gjithë kosovarët në bazat ushtarake amerikane në Irak janë të sigurt dhe mirë
Gjatë natës së mbrëmshme, u sulmua baza kryesore amerikane në Irak, ajo “Al Asad”, e cila është pozicionuar nga Forcat Ushtarake të ShBA-së. Mësohet se aktualisht në bazën kryesore amerikane në Irak “Al Asad”, ndodhen shumë kosovarë, të cilët punojnë në kompaninë “KBR inc”, e cila ka bazë të njejtë edhe në Bond Steel.
Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se të gjithë shtetasit kosovarë që ndodhen në Irak janë shëndosh e mirë.
“Shumë qytetarë të Kosovës punojnë në bazat ushtarake amerikane dhe të koalicionit në Irak, përfshirë ato që kanë qenë shënjestër e sulmeve të mbrëmshme iraniane”.
“Puna është duke vazhduar për të identifikuar të gjithë kosovarët, por informatat e para janë që dhjetëra kosovarë punojnë në këto baza”.
“Ministria e Punëve të Jashtme është në kontakt të ngushtë me autoritetet për të siguruar sigurinë e kosovarëve dhe në të gjitha kapacitetet tona ne do të ofrojmë ndihmën e nevojshme”.
“Deri më tani të gjithë kosovarët janë të sigurt dhe shendoshë e mirë”.