Osmani: Ura e Ibrit s’duhet të jetë temë në dialog, Vuçiqi s’ka pse të pyetet
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se çështja e urës së Ibrit nuk duhet assesi të jetë temë e dialogut me Serbinë, duke thënë se kjo do të ishte shkelje e sovranitetit, integritetit territorial dhe kushtetutshmërisë së Kosovës.
Osmani i reagoi Bashkimit Evropian që të enjten u shpreh se çështja e hapjes së urës duhet të trajtohet në dialogun në Bruksel me Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka thënë në Facebook se presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nuk ka çka pyetet “se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”.
Për presidenten, dialogu i vetëm që duhet të bëhet është brenda Kosovës mes institucioneve dhe partnerëve “që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës”.
“Çështja e urës nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë.