Osmani për deklaratën e Daçiqit: Serbia ende udhëhiqet nga mendjet gjenocidale
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka reaguar për deklaratën e ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiq, i cili tha se nuk di çka të bëjë me serbët që po tregojnë varrezat masive të shqiptarëve në Serbi.
Ajo tha se udhëheqësit serbë nuk kanë ndryshuar dhe se kjo është një dëshmi për këtë duke shtuar se ata kanë mendje gjenocidale.
“Dëgjojeni ministrin e Jashtëm të Serbisë duke kërcënuar serbët të cilët po tregojnë vendet ku janë varrosur të pagjeturit shqiptar në Serbi. Dëgjojeni përsëri e përsëri, nëse besoni se liderët e Serbisë kanë ndryshuar. Fatkeqësisht, Serbia ende drejtohet nga mendje gjenocidale”, shkroi ajo në Twitter.
“Lëreni ju amerikanët, gjermanët, turqit, çfarë të bëjmë ne me serbët që ju tregojnë shqiptarëve, kroatëve, e flasin lloj-lloj budallallëqesh të ndryshme duke ju treguar se ku janë varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, kishte thënë Daçiq për TV Happy.