Lajme

Osmani: Nëse përsëriten situatat sikurse dje, detyrohem të mbroj integritetin e KQZ-së

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka kritikuar Komisionin Qendror Zgjedhor, e sidomos kryetaren e saj, Valdete Daka.

Ajo në një adresim para pak minutash, ka thënë se nëse ndodh që partitë dhe qytetarët, sipas saj, të ballafaqohen sërish me atë çfarë ndodhi të premten, kur disa parti nuk u certifikuan, do të detyrohet të marrë të gjitha masat sipas përgjegjësive që ka dhe të cilat i parasheh Kushtetuta.

“Do të detyrohem të marrë të gjitha masat për mbrojtjen e integritetit të KQZ-së dhe të këtij procesi zgjedhor, ashtu siç e parasheh Ligji për zgjedhjet dhe Kushtetuta e vendit. Mbajtja e zgjedhjeve të lira është parakusht i funksionimit demokratik të një vendi. Prandaj, këtë test të demokracisë, duhet ta kalojmë të gjithë së bashku me besim dhe maturi”, ka thënë Osmani.

Ajo ka kritikuar kryetaren Daka, se nuk është e thirrur të shtyjë përpara agjenda partiake dhe të ngre kurthe për partitë tjera.

Sipas Kushtetutës, kryesuesin e KQZ-së e emëron presidenti i vendit. Këtë e parasheh neni 139, pika 3. Kryesuesi i KQZ-së zgjidhet nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe të gjykatave me juridiksion apeli.

Të premten, KQZ-ja nuk miratoi listat e disa subjekteve politike, me arsyetimin se është bazuar në aktgjykimin e fundit të Kushtetueses, që nuk lejon kandidimin e atyre që janë të dënuar për vepra të ndryshme penale në tri vitet e fundit.

Ky vendim ka prekur edhe VV-në, pasi lideri i saj, Albin Kurti, është i dënuar me kusht për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

Vjosa Osmani me iniciativën e saj qytetare, i është bashkuar VV-së për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Edhe listat e AAK-së, Nismës dhe disa subjekteve më të vogla nuk u certifikuan. Shumë prej tyre, sot kanë shtruar ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa.