Lajme

OSDNj- që nga fillimi i këtij viti në kampin Al Hol, kanë vdekur 465 njerëz

Observatori sirian për të drejtat e njeriut, njofton se tragjedia dhe katastrofa humanitare vazhdojnë në “mini-shtetin e vdekjes …” 465 njerëz kanë vdekur që nga fillimi i këtij viti në kampin Al- Hol, kryesisht fëmijë.

Është ky kampi Al Hol, ku ndodhej 11 vjeçari Alvin Berisha, për të cilin pardje u njoftua se është liruar nga kampi me ndihmën e gazetarëve italian, ‘Gjysmë Hënës Siriane’ si dhe Kryqit të kuq.

Sipas Observatorit Sirian, tragjedia akoma vazhdon duke marr jetën e më shumë njerëzve brenda kampit “mini-shtet” AL-HOL, që ndodhet në veri-perëndim të provincës al-Hasaka.
Vazhdojnë kushtet katastrofike brenda kampit al-Hol, si rezultat i mosveprimit nga të gjitha palët ndërkombëtare në ofrimin e mbështetjes për të gjetur një zgjidhje për katastrofën humanitare në kampin “vdekje”, ku Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut dokumentoi vdekjen e 56 personave të rinj si rezultat i shëndetit të dobët dhe kushteve të jetesës, mungesës së ilaçeve dhe ushqimit, dhe mungesa e rëndë e kujdesit mjekësor.

Për shkak të mosveprimit të organizatave ndërkombëtare, është rritur në 465 numri i personave që vdiqën që nga fillimi i janarit 2019 deri më sot, përfshirë 416 fëmijë nën moshën tetëmbëdhjetë vjeç.

Po vazhdon edhe më tutje zinxhiri i vdekjes në kamp, i cili po vuan nga kushtet e vështira humanitare pasi u shndërrua në një “shtet të vogël” me kryesisht fëmijë dhe gra anëtare të “Shtetit Islamik”.
Burime të besueshme nga brenda kampit konfirmuan për Observatorin Sirian se gjendja në kamp sa vjen e përkeqësohet edhe më shumë, njerëzit aty po vuajnë kryesisht nga mungesa e furnizimeve mjekësore dhe kujdesit shëndetësor.

OSDNj publikoi të Shtunën, se situata humanitare në kampin al-Hool në verilindje të el-Hasaka vazhdon të përkeqësohet, ku numri i madh i njerëzve që ishin shpërngulur muajt e fundit në kamp penguan agjensitë e ndihmës lokale dhe ndërkombëtare të sigurojnë vazhdimisht të gjitha kërkesat e dhjetëra mijëra njerëzve që jetojnë në kampin al-Hool i cili është shndërruar në një “minishtet” për shkak të valës masive të zhvendosjes.