Orkestra e Operës së Maqedonisë saboton koncertin e Ramë Lahajt
I planifikuar të mbahej me Orkestrën e Operës së Maqedonisë, koncerti i tenorit kosovar Ramë Lahaj të enjten në Shkup ka qenë në prag të dështimit. Tenori me nam botëror nuk është shoqëruar nga Orkestra.
Të mërkurën është kontaktuar pianisti Genc Tukiqi në mënyrë që të shpëtojë koncerti “Ramë Lahaj and friends”, raporton “Koha Ditore”.
Tenori Ramë Lahaj ka thënë se me orkestër kanë bërë tri prova por ka qenë e pamundur të mblidhen të gjithë dhe të mobilizohen për ta mbajtur koncertin.
“I kam dëgjuar thashethemet e koncerteve paraprake që nganjëherë orkestrat Maqedoni dinë të mos jenë korrektë kur janë në pyetje aktivitet shqiptare. Por kësaj radhe unë veç e vërtetova derisa erdhëm me një pikë ku unë e anuloj koncertin me orkestër”, ka thënë Lahaj.
Në koncertin që ka hapur festivalin “Skena e muzikës serioze shqiptare”, pos, Lahajt kanë interpretuar edhe sopranoja Venera Gimadieva, bartoni Bogdan Baciu e mezzo-soprano, Irena Kavkalevska. Festivali në edicionin e tij të shtatë do të ketë gjithsej shtatë koncerte në Shkup.