Lajme

Origjina e COVID-19, Kina i cilëson “të çmendura” akuzat e Pompeos

Transmetuesi shtetëror i Kinës i kritikoi ashpër komentet e sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në lidhje me origjinën e koronavirusit, duke i cilësuar ato si “të çmendura”.

CCTV tha përmes një raporti se pretendimi i Pompeos se koronavirusi ka dalë nga një laborator në qytetin e Kinës, Vuhan, “është një gënjeshtër e plotë”.

Transmetuesi kinez tha se politikanët amerikanë “po nxitojnë të zhvendosin fajin” dhe “të shtypin Kinën, në kohën kur përpjekjet e tyre kundër epidemisë janë rrëmujë”.

Komentet vijnë një ditë pasi Pompeo tha se “ka sasi të konsiderueshme të provave” se koronavirusi ka dalë nga një laborator i Vuhanit, edhe pse nuk dha më shumë detaje.

Pompeo e ka thënë këtë edhe më herët, edhe pse një teori e tillë është hedhur poshtë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe disa ekspertë shkencorë.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur ta akuzojnë njëra-tjetrën për përhapje të dezinformatave në lidhje me origjinën e koronavirusit qysh në muajin mars, kur një zyrtar kinez ka thënë se ushtria amerikane “mund ta ketë sjellë virusin në Kinë”. / Opinion.al