Operacioni në veri të Kosovës, Rusia reagon ashpër/ BE: Ishte i ligjshëm
Bashkimi Evropian bëri thirrje për përmbajtje maksimale pas zhvillimeve në Veri të Kosovës.
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Koçijançiç, konfirmon se zyrtarët evropian janë në kontakt me krerët e institucioneve të Prishtinës dhe të Beogradit dhe kanë apeluar për përmbajtje maksimale.
Në një deklaratë ajo theksoi se aksioni policor i zhvilluar në Mitrovicë dhe zona të tjera dhe lokacionet tjera të Kosovës, është në përputhje me urdhrat e gjykatës dhe duhet të zbatohet në përputhje me ligjin.
“Operacionet policore duhet të sjellin besim në sundimin e ligjit te të gjitha komunitetet. Operacionet e tilla duhet të forcojnë e jo të dobësojnë përpjekjet për normalizim”, tha ndër të tjera Koçijançiç.
Lidhur me operacionin reagoi edhe ambasadori rus në Serbi Alexander Çepurin, i cili kërkoi lirimin e menjëhershëm të shtetasve rusë. “Jemi të revoltuar nga provokimet e autoriteteve të Prishtinës në raport me qytetarin rus, që është pjesë e UNMIK-ut. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të rusëve dhe mbajtje të përgjegjësisë të të gjithë atyre që janë fajtor”, tha ambasadori rus.