OKB: Turizmi botëror ka humbur 1 300 miliardë dollarë në 2020
Sektori turistik botëror ka humbur 1 300 miliardë dollarë në 2020 nën efektin e kufizimeve të lëvizjeve si pasojë e pandemisë së COVID-19, njoftoi sot Organizata Botërore e Turizmit (OBT).
“Kjo shifër përfaqëson më shumë se 11 herë humbjen e regjistruar gjatë krizës ekonomike botërore në vitin 2009 dhe korrespondon me një rënie prej 74% të mbërritjeve të turistëve në raport me vitin 2019”, thekson komunikata e OBT-së, agjencia e Kombeve të Bashkuara e ngarkuar me turizmin dhe me qendër në Madrid.
“2020 do të jetë viti më i keq në historinë e turizmit me një miliardë të mbërritur ndërkombëtar më pak në raport me vitin 2019”, theksoi OBT.
Gjatë krizës së vitit 2008-2009, numri i vizitorëve u ul vetëm 4%.
Sipas ekspertëve të OBT-së, 100 deri në 120 milionë punonjës të drejtpërdrejtë janë të kërcënaur në turizëm, shumë prej tyre në kompani të vogla dhe të mesme.
Organizata vë në dukje një përkeqësim të perspektivës globale për një rikthim në 2021 dhe vlerëson se do të duhen dy e gjysmë deri në katër vjet që turizmi ndërkombëtar të kthehet në nivelet e 2019.
“Ne jemi të vetëdijshëm se kriza nuk ka mbaruar ende”, theksoi sekretari i Përgjithshëm Zurab Pololikashvili, i cituar në komunikatë.
“Harmonizimi, koordinimi dhe digjitalizimi i masave për reduktimin e rreziqeve lidhur me COVID-19 në nivelin e udhëtimeve, veçanërisht depistimi, gjurmimi dhe certifikata e vaksinimit, janë themelore për të promovuar udhëtime të sigurta dhe për të rikuperuar turizimin kur kushtet ta mundësojnë”, shtoi ai.
Për Europën, rënia është 70% gjatë vitit, por kontinenti ka përjetuar rënien më të madhe në shifra absolute, me 500 milionë më pak mbërritje.
Lindja e Mesme dhe Afrika ranë me 75% dhe Amerika me 69%.