OJQ Drejtoria për Inkluzion organizoi tryezë me kandidatët për KKSh dhe shoqërinë civile
Fuqizimi i politikës shqiptare në Serbi
Në ambientet e Këshillit Kombëtar Shqiptar, në Preshevë, shoqëria civile, gjegjësisht OJQ Drejtoria për Inkluzion organizoi një tryezë diskutimi, ku të ftuar ishin të gjithë bartësit e listave të subjekteve partiake që garojnë në këto zgjedhje, që të diskutojnë për disa tema vitale që tangojnë banorët e Luginës së Preshevës: Statistikat e regjistrimit të popullatës në Luginë, zgjedhjet për KKSH dhe perspektiva e shqiptarëve në rajon e më gjërë.
Të pranishëm ishin:
Agim Haliti – PD
Enver Mehmeti – PDSH
Nevzad Lutfiu – LPD
Ragmi Mustafi dhe Enkël Rexhepi – PVD
Si edhe aktivistë të ndryshëm nga shoqëria civile.



Debati u zhvillua në një atmosferë mjaft konstruktive dhe me një energji pozitive, sepse ishte hera e parë që organizohet një format i tillë debati mes shoqërisë civile dhe bartësve të listës që garojnë në këto zgjedhje për KKSH.
Panelistët treguan një pjekuri e maturi të lartë debative duke treguar një kulturë në respektimin e mendimit ndryshe dhe zgjidhjen e problemeve nga këndvështrimet e tyre.
Gjithashtu, kësaj tryeze diskutimi, rëndësi i dha edhe pjesëmarrja e Lindita Musliu, përfaqësuese e Partisë së Gjelbërt gjermane, e cila tregoi mjaft interes për nevojat, kërkesat dhe bashkëpunimin e mëtutjeshëm të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, që këto këto kërkesa të orientohen në mekanizmat si gjermane ashtu edhe ndërkombëtare.
Të gjithë diskutuesit, ishin unanimisht të pajtimit se zëri politik i shqiptarëve të Luginës duhet të jetë i unifikuar, sidomos për realizimin e aspiratave të deklaruara, me theks të veçantë gjatë procesit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
Sponsor medial i kësaj tryeze ishte portali: Ministria e Lajmeve