Kryesore

Kryeministri Rama: Bashkëpunimi me Kosovën ka marrë një ritëm të ri

Në një konferencë për media, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas mbledhjes së përbashkët me Qeverinë e Kosovës, tha se me nënshkrimin e marrëveshjeve të reja, bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri ka marrë një ritëm të ri.

z.Rama tregoi në detaje marrëveshjet e arritura.

“Kemi firmosur një sërë marrëveshjesh konkrete, ku pa dashur të marr kohë më tepër, do të nënvizoj marrëveshjen për studimin e fizibilitetit të hekurudhës Durrës-Prishtinë. Të dy qeveritë kanë përafruar në buxhetin e vitit 2022 një fond dhe dy ministritë kanë dakorduar ekipin e përbashkët të punës në ndërkohë. Po ashtu dua të nënvizoj marrëveshjen që çon në një nivel të ri bashkëpunimin doganor. Një kërkesë legjitime e kahershme e kohës, eksportuese dhe importuese, po ashtu edhe ekonomitë tona do të kenë përfitimin e tyre. Më tutje nënvizoj se eliminimi i të gjitha procedurave të dyfishta është objektivi ynë në gjithë sektorët dhe në rastin konkret, krijimi i një manuali të ri në Durrës është ngritja në një nivel tjetër i lëvizjes së lirë në raport me procedurat doganore. E treta që është lajm i mirë për dy anët, është se është dakorduar krijimi i një lehtësimi të ri doganor në kufi që të mos krijohen radhë të gjata për kontrolle të dyfshita”, tha ai.

Z.Rama tha se një pjesë e marrëveshjeve të arritura më herët kanë gjetur zbatim, por për disa të tjera ka pengesa burokratike.

“Dua ta falënderoj gjithë skuadrën e Kosovës, Albinin personalisht për ritmin e ri që ka marrë ky proces. Një pjesë e marrëveshjeve janë zbatuar, disa janë në zbatim, por problematika nga niveli i lartë në nivel administrate është burokratik”, tha Rama.

Krahas kësaj, kryeministri shqiptar tha se duhet të ngritët një rrjet i përbashkët konsullor.

“Kemi shtrirë sa më shumë rrjetin e shërbimeve konsullore të përbashkëta. Duke u bazuar më disa shembuj pozitivë, duam të krijojmë sa më shumë hapësira të përbashkëta për shërbime konsullore për t’iu dhënë qytetarëve një adresë dhe për të larguar shpenzimet”, tha ai.