NZZ: Si e bëri të suksesshme “Air Prishtinën” preshevarja Leyla Ibrahimi
“Si u bë matriarke
brenda natës shqiptarozvicerania Leyla Ibrahimi? Zonja Ibrahimi është në krye të kompanisë “Air Prishtina”, e cila transporton gjysmë milioni pasagjerë në vit, transmeton albinfo.ch.
Kushdo që vjen nga Ballkani dhe ka arritur diçka në Zvicër është zakonisht në mënyrë tipike burrë dhe punon në një kompani të afërt me ndërtimin. Në këtë klishe hyjnë tani edhe futbollistët dhe muzikantët e famshëm.
Por, Leyla Ibrahimi nuk futet në asnjë nga sirtarët e zakonshëm. 41-vjeçarja drejton një kompani të cilën praktikisht e njeh çdo shqiptar kosovar në Zvicër: Fjala është për kompaninë Air Prishtina, e cila punëson 50 persona në Zvicër dhe Kosovë dhe transporton gjysmë milioni pasagjerë në vit, shkruan gazeta prestigjioze zvicerane NZZ në një portret të botuar sot.
Kompania simotër “Chair Airlines” madje operon edhe me avionët e saj. Një grua në krye të një kompanie është ende një gjë e rrallë në komunitetin shqiptar në Zvicër. Prandaj nuk është për t’u habitur që Ibrahimi u emërua në juri nga “Swissalbs”. Kjo shoqatë do të ndajë çmimin për kompaninë më të mirë zvicerane-shqiptare për herë të parë të shtunën në Cyrih.
Ndonëse imazhi i shqiptarëve, nga fillimi i viteve 2000 se janë maço dhe rebelë, është shtyrë në plan të dytë, nuk është se është zhdukur plotësisht, transmeton albinfo.ch. Prandaj Ibrahimi është një femër model – e cila tregon se shqiptarët mund të jenë të suksesshëm në Zvicër… Edhe pse termi “shqiptare” nuk shkon aq sa duhet sipas Lejlës, në rastin e saj. “Një grua zvicerane me prejardhje shqiptare emigruese ose me rrënjë shqiptare – ky do të ishte termi i duhur.
Ibrahimi tashmë në media është cilësuar si “patriark-e”. Nëse duhet këshgtu, atëherë do të duhej të flitej për një “matriarke”, por përkundër kësaj, atribuimi nuk është i gabuar në lidhje me gruan që drejton pasurinë e kompanisë nga selia në një ndërtesë në Löwenstrasse në Cyrih.
Kur babai i saj vdiq papritur 16 vjet më parë, ajo u bë pasardhëse e tij në dy kuptime: si kryetare e Air Prishtina por edhe si kryefamiljare. Ajo mori postin e tij në mënyrë të plotë, thotë ajo.
Në shoqërinë shqiptare, rolet tradicionale gjinore janë të orientuara tradicionalisht. Babai i saj mund të mos ketë qenë përjashtim, edhe nëse nuk ka praktikuar ndarje gjinore në familje. “Si një biznesmen, ai ndoshta e kishte kuptuar se unë kisha potencialin për të marrë përsipër kompaninë”, thotë Leyla. I ati e kishte drejtuar dhe ajo e kishte marrë rolin “intuitivisht”.
Prandaj as që e kishte menduar asnjëherë faktin që një shqiptare në krye të një kompanie mund të ishte diçka e pazakontë dhe kjo ishte një gjë e mirë, përcjell albinfo.ch. “Mendime të tilla vetëm sa ju pengojnë. Ju natyrisht duhet të fitoni respektin përmes performancës”.
Ajo vërtetë nuk e kishte themeluar kompaninë, por e ka zhvilluar shumë atë. Dhe në një farë mënyre ka thyer traditën e babait të saj: i dha fund funksionimit të lidhjeve familjare. Kjo ishte thjesht një imperativ i biznesit, thotë ajo.
“Nuk mund të jesh i suksesshëm nëse duhet të kesh parasysh familjen kur merr vendime për personelin, veçanërisht në një treg aq konkurrues siç është sektori i udhëtimeve. Por babai im nuk mund ta bënte këtë prerje”, thekson Ibrahimi.
Kështu, ajo kishte mbyllur 9 nga 10 degët e Zvicrës dhe ngriti një qendër thirrjesh në Kosovë 15 vjet më parë. Megjithatë, ajo e dinte se shumë nga klientët e saj më me dëshirë do të paguanin për fluturimin e tyre me para në dorë sesa me kartë krediti. Kështu, Leyla gjeti një zgjidhje: Edhe sot mund të paguani biletën e avionit për Air Prishtina në rreth një mijë kioska në Zvicër.
Ibrahimi ka ardhur në Zvicër si i vogël dhe e flet gjermanishten me theks të lehtë të huaj. Kjo ndoshta ka të bëjë me faktin se ajo dhe motra e saj më e madhe kanë jetuar me gjyshërit në Kosovë nga mosha gjashtë deri në nëntë vjeç. Kjo gjë nuk ishte “ideale”. “Do të ndihesha më e plotë nëse do ta kisha kaluar gjithë fëmijërinë time në Zvicër”, përcjell albinfo.ch. Por ajo i kupton konsideratat e prindërve të saj.
Ata kishin dashur që fëmijët të mësonin shqip. Në të njëjtën kohë, të dy ishin të punësuar dhe gjyshërit jetonin në Kosovë. Si një sipërmarrëse dhe nënë e dy djemve, Ibrahimi nuk është e panjohur as me kufizime të tilla.
Burri i saj është CEO i kompanisë simotër Chair Airlines. Ndër të tjera, te ai Air Prishtina “blen” aeroplanët” pasi vetë nuk ka asnjë aeroplan.
Kriza e koronës, megjithatë, ka vënë kompaninë në provë. Në Zvicër, kompania ka mundur të aplikojë për punë me kohë të shkurtër, ndërsa në Kosovë nuk ka pasur asnjë mbështetje. Ka pasur pushime të herëpashershme nga puna, por 90 për qind e fuqisë punëtore është mbajtur, thotë Ibrahimi.
Pas bllokimit pati pasiguri sepse Kosova kishte kohë që ishte në listën e vendeve me rrezik të BAG. Kjo u pasua nga një verë në të cilën praktikisht “të gjithë” ishin në Kosovë – siç raportojnë zvicerano-kosovarët në unison – dhe kur të kthyerit e shumtë u sëmurën me virusin korona.
Është e qartë se shumë nga udhëtarët kanë përdorur kompaninë Air Prishtina. Por nuk mund të fajësohet kompania, thotë Ibrahimi. Sigurisht që janë komunikuar rregullat e zakonshme të sjelljes konform koronës, por përtej kësaj ju nuk mund të keni asnjë ndikim.
Një mosmarrëveshje mediatike kishte shpërthyer nga fundi i verës për të kthyerit e sëmurë nga Kosova. Ibrahimi ka një mendim të qartë për këtë. “Po, njerëzit u sollën pa kujdes”, transmeton albinfo.ch. Kishte një frymë eufrorike dhe ishin riorganizuar shumë dasma të shtyra .
Pastaj shumë e kanë minimizuar sëmundjen, duke mos harruar se sa i ulët ishte numri i infeksioneve në korrik. Mirëpo, në asnjë rast, sipas saj, nuk kishte kuptim që kjo të çonte në konstatimin për skepticizëm të përgjithshëm lidhur me vaksinimet tek kosovarët.
Sigurisht, nuk ka mbetur pa gjurmë tek ajo diskutimi mediatik i cili më pas u fokusua tek shqiptarët e Kosovës. Kjo kulmoi me faktin që qeveria kantonale ndaloi me masa të përnjëhershme Festivalin Alba në zonën e Cyrihut, Hardturm. “Ja, edhe një herë shqiptarët e Kosovës…”, do të kenë menduar disa zviceranë. Por, “a do të kishte ndodhur i njëjti diskutim nëse do të ishte infektuar një numër mbi mesatar i skandinavëve? Unë nuk mendoj kështu. Unë jam mërzitur për këtë”.
Ky episod tregon se imazhi i shqiptarëve të Kosovës në Zvicër nuk është ende më i miri. Nuk ka përfunduar ende integrimi ekonomik i rreth një çerek milioni njerëzve me origjinë shqiptare në Zvicër, përcjell albinfo.ch. Shkalla e papunësisë tek kosovarët dhe maqedonasit është dukshëm më e lartë se tek zviceranët apo të huajt nga vendet e BE-së, gjë që, sipas një studimi të Zyrës Federale për Migracionin, lidhet me kualifikimet më të ulëta dhe vështirësitë e të rinjve shqiptarë për të hyrë në botën e punës.