Lajme

Numërohen 100 për qind të votave: Prin LVV-ja me 40.80%

Janë numëruar 100 për qind e votave nga votimet brenda vendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka shpallur sot përfundimin e numërimit të votave për subjektet politike, garuese në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Përqindja e votave e shpërndarë për subjektet politike ka pësuar ndryshime margjinale.

Lëvizja Vetëvendosje prin me 40.80% të votave, apo 342 mijë e 281 vota nga numërimi i 2,533 vendovotimeve brenda vendit.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) vjen pas LVV-së me 22.03% të votave të fituara, apo 184 mijë e 811 vota.

E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, me 17.63% të votave pas numërimit të të gjitha kutive të votimit brenda vendit. LDK-ja numëron 147 mijë e 888 votave në total.

Koalicioni AAK-Nisma-Konservatorët ka fituar 7.46% ose 62 mijë e 588 vota gjithsej.

Përqindja e subjekteve politike mund të ndryshojë pas numërimit të votave me kusht dhe atyre nga jashtë. Ky proces do të fillojë pas përfundimit të numërimit të votave të kandidatëve për deputet.