Lajme

Hoti: Me Serbinë vetëm dialog politik, jo më dialog teknik

Së fundmi, thuhet se pala kosovare bën të ditur, se në Bruksel do të propozojë draftin e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi. Por analistët politikë nuk besojnë në një marëveshje finale të ndërmjetësuar nga Brukseli, pa përfshirjen e SHBA-së.

Të enjten e kësaj jave më datë (23.07) në Bruksel takohen pala kosovare dhe ajo serbe në kuadër të procesit të dialogut, por nuk do të takohet niveli i lartë politik. Në këtë kuadër udhëheqësit politikë kosovarë, presidenti Thaçi dhe kryeministri Hoti, thanë se me Serbinë nuk do të ketë më dialog teknik, por vetëm dialog politik me qëllimin final njohjen reciproke. Këtë të enjte në Bruksel do të udhëtojë një koordinator i qeverisë së Kosovës për procesin e dialogut, ku sipas kryeministrit Hoti, ai e ka për detyrë siç tha, “për të draftuar marrëveshjen finale për njohje reciproke”.

Hoti: Dialogu është vetëm politik

“Ky proces ka filluar pas më shumë 20 muajsh. Ditët e para e kemi qartësuar platformën tonë dhe kemi komunikuar me të gjithë. Është etabluar pozicioni i Kosovës në këtë proces dhe është mirëkuptuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Qëllimi final është vetëm njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve. Dialogu është vetëm politik. Të enjten është një takim në Bruksel ku do të jetë Koordinatori për Dialog – të cilin do ta emëroj së shpejti-për të draftuar marrëveshjen finale për njohje reciproke”, deklaroi kryeministri Avdullah Hoti, pas një takimi që zhvilloi në Prishtinë me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha, i cili qëndroi për një vizitë në Kosovë.

Një ditë më parë kryeministri Hoti, ju kundërpërgjigj akuzave të lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit, të cilët vazhdimisht Hotin e akuzojnë siç thonë “për jo legjitimitet politik”, që sipas tyre e përfaqëson “një qeveri të pakicës”. “Për një muaj, ne hoqëm nga çdo diskutim temën e integritetit territorial të Kosovës, të cilën më nuk e përmend kush. Me vendosmëri e guxim, ne e evituam rrugën qorre dhe qasjen izoluese dhe morëm përgjegjësitë shtetërore në dialog. Këtë e bëmë pa hezitim pasi udhëhiqemi nga parimi i ruajtjes së integritetit territorial dhe unitaritetit të shtetit, si dhe nga respektimi i plotë i kushtetutshmërisë. Kjo është qasja jonë në dialog, që është legjitime dhe e vetme”, shkroi Hoti në reagimin e tij.

Finalizimi i dialogut – njohja reciproke

Që Prishtina nuk zhvillon më dialog teknik me Beogradin e tha edhe presidenti Hashim Thaçi, duke e vlerësuar edhe kontributin e Shqipërisë në këtë proces. “Për neve është me rëndësi jetike që të kemi një konsensus sa më të gjerë sa më përfshirës. Kontributi i Shqipërisë për neve gjithmonë ka qenë i mirëseardhur. Dialogu me Serbinë nuk do të jetë teknik dhe se ai duhet të përmbyllet me njohje reciproke”, tha presidenti Thaçi, shkruan DW.

Analistët politikë nga ana e tyre nuk duken shumë optimistë për një zgjidhje të shpejtë të një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi. Analisti politik Blerim Burjani nuk është shumë optimist për suksesin e ndërmjetësimit evropian të dialogut përmes Mirosllav Lajqakut “Duke e përcjellë politikën me kujdes që po ofohet nga BE, përmes Lajcakut, nuk ka edhe aq shumë optimizëm për zgjidhje përmes një ombrelle gjithëpërfshirëse të marrëveshjes. BE arriti suksesin më të madh me kodin telefonik 383 që i ofroi Kosovës dhe marrëveshjen IBM. Marrëveshje të tjera ishin mjaft të ngathta në implementim. Përfshirja amerikane ishte e domosdoshme për të përkrahur BE-në, e cila mbeti pa ndonjë instrument që do të detyrojë palët të zbatojnë edhe këto marrëveshje ekzistuese. Kjo u vërejt, sepse u bënë shumë vite, ku dominoi regresi në dialog dhe ndodhi ashpërsimi i Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës”, thotë Blerim Burjani për Deutsche Wellen.