FutbollSporti

Nuhiu: E dimë rëndësinë e ndeshjes ndaj Maqedonisë së Veriut dhe do ta japim maksimumin

Kosova përballet me Maqedoninë e Veriut në kuadër të gjysmëfinales së ‘play-offit’ në Ligën e Kombeve, në kërkim të një vendi për Kampionatin e ardhshëm Evropian.

Më 8 tetor (e enjte) me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, Kosova dhe Maqedonia e Veriut zhvillojnë përballjen gjysmëfinale të ‘play-offit’ në kuadër të Ligës së Kombeve, në kërkim të një shansi për të luajtur në Kampionatin Evropian.

Skuadra fituese do të zhvillojë edhe një finale të ‘play-offi’ kundër fituesit të përballjes tjetër që zhvillohet ndërmjet Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë.

Sulmuesi i Kosovës, Atdhe Nuhiu, ka folur pas seancës stërvitore në “Fadil Vokrri”, duke theksuar shpresën për të triumfuar në Shkup.

“Normalisht se me shumë dëshirë e kemi pritur këtë ndeshje dhe mezi presim të luajmë të enjten. Është një ndeshje shumë e rëndësishme, jo vetëm për neve dhe kombëtaren, por për gjithë Kosovën. Ne e dimë se çfarë do me thënë, çfarë ndeshje historike dhe si ndihen njerëzit për këtë ndeshje. Dhe besoj se do të japim maksimumin e mundur në fushë dhe shpresojmë ta fitojmë lojën”.

“Mungesat janë të mëdha. Për secilin ekip, kur lojtarët kyçë mungojnë është sado kudo pak e vështirë për ekipin. Por, ne nuk duhet ta shikojmë në atë mënyrë, por me këta lojtarë që janë këtu. Trajneri ka besim në lojtarët që i ka ftuar dhe që janë këtu, lojtarët që mund të luajnë dhe janë në dispozicion dhe me këta lojtarë së bashku shpresojmë ta mundim Maqedoninë”, ka deklaruar 31-vjeçari në një prononcim të transmetuar nga faqja e FFK-së.

Mesazhi i Nuhiut ishte se futbollistët do të mundohen të japin gjithçka në fushë, në mënyrë që t’ua zbardhin fytyrën mbështetësve të tyre, të cilët edhe pse nuk janë në stadium, i qëndrojnë gjithmonë prapa ekipit të Kosovës.