ARKIVA

Notre Dame dhe shqiptarët

Zjarri shkatërrimtar që goditi dje Katedralen e famshme Notre Dame të Parisit, solli reagime emocionale në mbarë botën. Ndonëse në esencë një objekt fetar, bukuria e madhështia arkitekturale, lidhja me ngjarje të mëdha historike, vendi në vepra letrare, filma e vepra të mëdha artistike, lidhjet me Parisin, kujtime personale e shumë arsye të tjera kanë ndikuar që ta bëjnë atë një ikonë të civilizimit perëndimor, apo një simbol mbarëbotëror.

Shumë shqiptarë e amerikanë ashtu si njerëz në mbarë botën komentuan ngjarjen e shumë prej tyre botuan e ribotuan kujtime kolektive e personale, historike e intime, të lidhura me Katedralen e famshme.

Në këtë kuadër, ia vlen të kujtojmë një moment të caktuar në histori, kur shqiptarë nga e gjithë bota u mblodhën në Notre Dame për një meshë historike.Ngjarja ndodhi, 39-vjet më parë, në 6 maj 1980, kur qyteti i Parisit nderoi Heroin Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeun duke emërtuar një shesh me emrin e tij.

At Sofron Prence, murgu i shquar arbëresh udhëhoqi meshën e madhe. Kori i famshëm i vajzave arbëreshe nga Siçilia, që kishin mahnitur Parisin me kostumet e tyre, kënduan nën drejtimin e At Sotirit.

Sipas “Buletinit Katolik Shqiptar”, në meshë merrte pjesë edhe Kardinali i Parisit si dhe figura të njohura zyrtare e fetare franceze.

“Koha e Jonë” shkruan se ditët e festës filluan me mbëritjen e arbëreshëve nga Piana degli Albanesi në Itali, e mbaruan me një gosti zyrtare në mbrëmjen e 7 marsit.

Është një kujtim i bukur shqiptar, në paradën e kujtimeve nga e gjithë bota, kushtuar Katedrales që pavarësisht prej zjarrit të tmerrshëm, dukt se ka mbijetuar, do të riparohet në kohë, e do të vazhdojë të frymëzojë e zbukurojë Parisin.