Bota

Një polic, viktima e pestë e protestës së dhunshme në Kongres

Policia amerikane në Uashington ka njoftuar se një pjesëtar i saj, që siguronte ndërtesën e Kongresit, Capitol, ka vdekur në orët e vona të së enjtes, pas plagëve të marra një ditë më herët në protestën e mbështetësve të presidentit Donlad Trump.

Polici Brian D. Sicknick u lëndua pasi protestuesit u futën dhunshëm në ndërtesë, ku Kongresi po mbante mbledhjen për certifikimin e Joe Bidenit president, njofton CNN të premten.

Në përleshje me policinë u vranë katër protestues, e me policin që vdiq të enjten, numri i viktimave nga kjo protestë, ka shkuar në pesë.

“Oficeri Sicknick ishte në detyrë dhe iu përgjigj dhunës së 6 janarit në Capitol, ku edhe u plagos pas përleshjes fizike me protestuesit. Ai pas protestës, u kthye në zyrën e tij ku humbi vetëdijen. Shpejt u dërgua në një spital lokal për të trajtuar lëndimet, por nuk ia doli”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Protestën e kishte thirrur presidenti Trump që nuk bindej për humbjen e tij në zgjedhjet e 2 nëntorit.

Pasi protesta eskaloi, Trumpi u bëri thirrje protestuesve të shpërndahen, ndonëse ata i quajti patriotë dhe të veçantë.

Në orët e para të së premtes, Trump ka pranuar humbjen dhe ka thënë se do të ketë tranzicion të qetë të pushtetit më 20 janar, kur edhe do të bëhet inaugurimi i Bidenit president i 46-të i SHBA-së.