BotaTë fundit

Tërmet politik në Washington! Demokratët do të nisin procedurat për shkarkimin e Presidentit Trump

Demokratët në Kongresin e SHBA pritet të fillojnë zyrtarisht procedurat për shkarkimin e Presidentit Trump, lidhur me një telefonatë që ai ka patur me presidentin ukrainas dhe ku aludohet se zoti Trump i ka kërkuar bashkëbiseduesit të hetojë rreth rivalit të tij politik Joe Biden.

“Tani i kemi faktet dhe jemi gati për sonte,” tha të martën Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.

Në një konferencë të organizuar nga revista The Atlantic, zonja Pelosi tha se do të ishte gabim nëse Presidenti Donald Trump i ka kërkuar Ukrainës që të nisë një hetim për një rival të tij politik, edhe nëse kërkesa nuk do të kishte lidhje me zhbllokimin e miliona dollarëve ndihmë amerikane për Kievin.

“Nuk është çështja nëse ka patur ose jo një shkëmbim favoresh në bisedën e tij (telefonike me presidentin ukrainas),” tha zonja Pelosi. “Nëse presidenti ngre çështjen se dëshiron që ata të hetojnë rivalin e tij politik, atëherë kuptohet që kjo nuk është e drejtë. Ne nuk u kërkojmë qeverive të huaja të na ndihmojnë në zgjedhjet tona”, tha kryetarja e Dhomës.

Zonja Pelosi tha se Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë të mërkurën mbi një rezolutë lidhur me ankesën e një informatori të inteligjencës që ka të bëjë me telefonatën midis zotit Trump dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, ndërkohë që administrata refuzon të dorëzojë përmbajtjen e ankesës.

Ajo tha se ishte e qartë se kreu në detyrë i inteligjencës kombëtare, Joseph Maguire po shkelte ligjin, duke mos lejuar që përmbajtja e ankesës t’i kalojë Kongresit.

REAGON PRESIDENT TRUMP

Presidenti Donald Trump tha se nëse demokratët nisin procedurat për shkarkimin e tij, kjo do të ishte në avantazhin e tij.

Presidenti Trump ndodhet në Nju Jork për takime me krerët botërorë në Kombet e Bashkuara. Ai tha se vendi “po ecën më mirë se kurrë ndonjëherë dhe se demokratët do të humbasin zgjedhjet e vitit të ardhshëm nëse nisin procedurat për shkarkimin e tij. Ai tha: “Nëse ajo (Pelosi) e bën këtë, të gjithë thonë se kjo do të ishte diçka pozitive për mua.”

BIDEN: TRUMP RREZIKON LARGIMIN

Ish-nënpresidenti i SHBA, Joe Biden, aktualisht kandidat për president, i bëri thirrje Presidentit Trump që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet e Kongresit mbi telefonatën që ka patur me presidentin ukrainas në të cilën thuhet se i ka bërë presion bashkëbiseduesit për të hetuar djalin e tij, Hunter. Përndryshe, shtoi zoti Biden, ai rrezikon të largohet nga posti.

“Nëse vazhdon të shkelë ligjin, Donald Trump nuk t’i lërë alternativë tjetër Kongresit, sipas mendimit tim, përveçse që ky i fundit të nisë procedurat e shkarkimit,” tha zoti Biden në një deklaratë të shkurtër në shtetin Delauer.

Presidenti Trump konfirmoi të martën i kishte thënë stafit të tij që të pezullonte rreth 400 milion dollarë ndihmë për Ukrainën, pak ditë para telefonatës me udhëheqësin ukrainas.

Konfirmimi erdhi ndërsa Presidenti po fliste me gazetarët në Kombet e Bashkuara, kur ai tha se kishte urdhëruar që ndihma të pezullohej me qëllimin për të bindur vendet evropiane të kontribuojnë më shumë ndihma.

“Sa i përket pezullimit të fondeve, ato fonde janë livruar tashmë,” tha Presidenti Trump. “Por ankesa ime ka qenë gjithmonë, dhe unë do t’i pezulloja përsëri e do të vazhdoj t’i pezulloj deri kur Evropa dhe vendet e tjera të kontribuojnë në Ukrainë,” tha Presidenti.

Ai u bëri thirrje Francës dhe Gjermanisë që “të kontribuojnë me para”.