Lajme

Një pacient në QKUK dyshohet të jetë i prekur nga koronavirusi

Mediet kosovare raportojnë se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po dyshohet për një rast me koronavirus.

Pacienti i dyshuar me koronavirus thuhet se ndodhet në ambientet e Klinikës Infektive brenda QKUK’së.

Mësohet se QKUK së shpejti do të mbajë një konferencë të jashtëzakonshme rreth këtij rasti.

Numri i viktimave në Kinë nga shpërthimi i koronavirusit është rritur në 723, njoftoi Komisioni Kombëtar Shëndetësor i vendit (NHC).

Autoritetet njoftuan se deri më tani janë konfirmuar 34 546 raste, ndërsa 86 persona kanë vdekur dhe më shumë se 3000 raste të reja janë zbuluar gjatë 24-orëve të fundit.

Numri i personave nën vëzhgim mjekësor është rritur në 185 555, ndërsa numri i atyre që dyshohet se janë të infektuar është 27 657.

Gjithashtu numri i personave të infektuar jashtë territorit kryesor të Kinës ka arritur në 26 në Hong Kong dhe 10 në Makau.

Thuhet se virusi është transmetuar te njerëzit nga kafshët, veçanërisht nga lakuriqët e natës.

Përveç se në Kinë, virusi është përhapur në më shumë se 20 vende, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Singaporin, Francën, Rusinë, Spanjën dhe Indinë.

Shumë vende kanë evakuuar qytetarët e tyre nga Wuhan-i, epiqendra e virusit dhe zona të tjera të prekura të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur epideminë emergjencë ndërkombëtare.